Hoxhaj: Nga Jo Negociata-Vetëvendosje, Kurti nisi bisedimet për autonomi për serbët në Kosovë

Hoxhaj: Nga Jo Negociata-Vetëvendosje, Kurti nisi bisedimet për autonomi për serbët në Kosovë
Çlirim Gashi

29.04.2021 / Lajme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit që ka pasur me Përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se dialogu mund të nis në qershor.

Ndërsa pas kësaj deklarate ka reaguar kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës si dhe njëherish deputet i Kuvendit, Enver Hoxhaj.

Hoxhaj përmes një postimi në rrjetet sociale ka thënë se kryeministri Kurti po e rinis dialogun në Bruksel, pa vendosur reciprocitet dhe pa ndonjë platformë apo strategji.

“Me konfirmimin e tij për rinisje të dialogut me Serbinë, Albin Kurti sot e përmbysi gjithë trashëgiminë e tij politike kundër negociatave Kosovë-Serbi.

Kurti rinisi dialogun në Bruksel pa vendosur reciprocitet me Serbinë dhe pa një platformë apo strategji”, ka thënë ai.

Po ashtu kryetari i PDK-së ka shtuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka rënë dakord për të hyrë në negociata për autonomi për serbët në Kosovë.

“Nga Jo Negociata – Vetëvendosje, Kurti ra dakord në Bruksel që të hyjë në Negociata për Autonomi për serbët në Kosovë dhe të zhbëjë planin Ahtisaari që mundësoi pavarësinë e Republikës së Kosovës. PDK si parti shtetformuese do të kundërshtojë çdo ide që synon zhbërjen e shtetit të Kosovës dhe përmbysjen e rendit kushtetues. Në Bruksel, duhet të ketë dialog vetëm për njohjen reciproke, asgjë tjetër”, ka theksuar ai.

RAPORTO