Hovenier flet sërish për çështjen e dinarit: Mesazhi i O’Brien dhe SHBA-ve ka qenë shumë i qartë

15.02.2024

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka folur sërish për Rregulloren e BQK-së, dhe çështjen e ndalimit të dinarit.

Ai në një konferencë për media, ka thënë se mesazhi i SHBA-ve ka qenë i qartë për këtë çështje.

“Sekretari James O’Brien foli për këtë çështje këtë javë dhe mesazhi i tij ishte shumë i qartë, mesazhi im ishte qartë. Ambasadorja jonë në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield
gjithashtu ka qenë mjaft e qartë. Shtetet e Bashkuara kanë shqetësime shumë domethënëse për mënyrën se si po zbatohet kjo rregullore. Ne i kemi ngritur këto shqetësime edhe në publik dhe i kemi ngritur edhe në privat”, ka thënë Hovenier.

Hovenier ka shtuar se “ne nuk e sfidojmë nevojën që BQK të rregullojë sektorin e saj financiar. As nuk sfidojmë nevojën që të ndërmarrë veprime për të reduktuar rrezikun e krimeve financiare, përfshirë pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit. Ne kërkuam nga qeveria që të shtyjë zbatimin e kësaj rregulloreje”.

Ai ka thënë se ShBA nuk e sfidon Kushtetutën e Kosovës.  Hovenier tha se do të shpresonte që qeveria e Kosovës dhe Kurti të zgjidhin çështjen së bashku. “Jemi të shqetësuar që qeveria dhe Kurti nuk e kanë bërë”, tha Hovenier.

“Nuk duam të jemi në këtë rrethanë. SHBA-të përkushtohen për popullin e Kosovës dhe të shtunën do të festojmë përvjetorin e pavarësisë së Kosovës. Gjithsesi se do të jem i pranishëm për të festuar atë që kemi arritur se bashku. Por, kjo nënvizon prapë atë se sa problematik është ky moment. Qeveria nuk duket se po punon në partneritet me ne”, ka thënë Hovenier.

Ai ka shtuar se SHBA-ja ka shqetësime domethënëse për Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

“Një nga zyrtarët më të lartë amerikan, James O’Brien e bëri të qartë dhe mesazhi im është i qartë – SHBA-ja ka shqetësime domethënëse për zbatimin e Rregullores së BQK-së. Shqetësimet i kemi thënë në publik dhe privat”, ka deklaruar ambasadori amerikan.