Hoti tregon nëse LDK-ja do t’ia lë Vetëvendosjes postin e kryeministrit

Hoti tregon nëse LDK-ja do t’ia lë Vetëvendosjes postin e kryeministrit

Avdullah Hoti, Kryetar i Grupit Parlamentar të LDK-së ka deklaruar se opozita e sotme do të qeverisë me vendin pas zgjedhjeve.

I pyetur nëse LDK do t’ia lëshojë postin e Kryeministrit, Hoti thotë se për këtë do të vendos partia e tij, por sipas tij, duhet të bëhet rregull që subjekti më i madh ta udhëheq qeverinë.

“Kemi pasur bashkëpunim produktiv me VV-në gjatë këtyre dy viteve në opozitë në Kuvendin e Kosovës, që përbën bazën për një bashkëpunim më të gjerë në të ardhmen në qeveri. Falë këtij bashkëpunimi, duke krijuar një opozitë të fuqishme e konstruktive, kemi arritur të stopojmë një numër të konsiderueshëm të nismave legjislative të dëmshme për shtetin e Kosovës, mbi të gjitha nismën për ligjin antikushtetues për dialog”, tha Hoti.

Hoti në një intervistë për Express tha se është e natyrshme që qeveria e ardhshme të udhëhiqet nga opozita e deritashme, sepse vetëm kështu mund të bëhen ndryshime substanciale në modelin e qeverisjes.

“Megjithatë, çdo formë e formë e bashkëqeverisjes tonë me VV-në do të shqyrtohet dhe vendoset në organet kompetente të LDK-së”.

“Sa i përket pozitës së Kryeministrit, ne do të kërkojmë besimin e qytetarëve të Kosovës në këto zgjedhje për të udhëhequr me Qeverinë. Duhet të pranohet si rregull i sjelljes që partia më e madhe udhëheq me Qeverinë. E kemi parë rezultatin e qeverisë në largim të koalicionit PAN, ku Kryeministri ishte nga partia e pestë në Kuvend, duke mos pasur mundësi të qojë përpara asnjë politikë të tij. Ka pasur raste kur projektligjet që qeveria i ka sjell në Kuvend për shqyrtim dhe miratim, janë ndryshuar rrënjësisht gjatë shqyrtimeve në komisione parlamentare saqë nuk kanë reflektuar më vullnetin e qeverisë”, tha Hoti.

RAPORTO