Homazhe në Tërrnje: Albulena Haxhiu kujton masakrat e 25 marsit 1999 dhe kërkon drejtësi për viktimat
Në përvjetorin e ngjarjeve tragjike të 25 marsit 1999, vetëm një ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe në fshatin Tërrnje, duke përkujtuar civilët shqiptarë të vrarë nga forcat e regjimit të Slobodan Milošević.
Foto: Ilustrim
Ajo rikujtoi se në atë ditë, në disa fshatra të Kosovës, përfshirë Celinën, Fortesën, Godenin, Randobravën dhe Tërrnjen, u vranë rreth 200 civilë të pafajshëm, mes tyre gra, fëmijë dhe të moshuar.
Sipas saj, këto krime ishin pjesë e një plani të organizuar shtetëror për spastrim etnik.Gjatë vizitës në Tërrnje, Haxhiu vendosi lule te memoriali i martirëve dhe qëndroi në shtëpinë e Bekim Gashit, i mbijetuari i vetëm i masakrës.
Ai ndau rrëfimin e tij për humbjen e nënës dhe katër motrave, trupat e të cilave ende nuk janë gjetur, si dhe për përpjekjet e tij të vazhdueshme për drejtësi përmes proceseve gjyqësore dhe kërkimeve në varreza masive.
Haxhiu theksoi se dhimbja e familjeve mbetet e madhe, sidomos për ata që ende nuk kanë gjetur trupat e të dashurve të tyre, duke shtuar se kërkimi për drejtësi nuk do të ndalet.
“Ne kurrë nuk do të harrojmë dhe nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për ta,” u shpreh ajo, duke përfunduar me nderime për të gjithë martirët dhe dëshmorët e kombit.
