Hiqen tarifat doganore për produktet amerikane – Murati: Partneritet i palëkundur me SHBA-në
Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim për heqjen e plotë të tarifave doganore për produktet që vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, përmes një postimi në rrjete sociale, ku theksoi se kjo masë është një dëshmi konkrete e partneritetit të palëkundur me SHBA-në.
“0% tarifë doganore për produktet Amerikane! Edhe një dëshmi tjetër për partneritetin e palëkundur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Le të jetë ky një hap i parë drejt një marrëveshjeje për tregti të lirë në mes të vendeve tona”, shkroi Murati.
Ky vendim vjen në një kohë kur Kosova po përpiqet të forcojë lidhjet ekonomike dhe diplomatike me aleatët strategjikë, me theks të veçantë tek SHBA-ja.
Ekspertët e ekonomisë e konsiderojnë këtë hap si një sinjal të qartë politik dhe ekonomik, që mund të ndikojë në rritjen e investimeve amerikane në vend dhe në qarkullimin më të madh të mallrave mes dy shteteve.
Ndërkohë, ende nuk janë dhënë detaje zyrtare për kategoritë e produkteve që do të përfitojnë nga ky përjashtim doganor, apo afatet konkrete të zbatimit të vendimit.