Haxhiu: Jemi të gatshëm për takime me Osmanin, tërhiqem nëse nuk marr 61 vota
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit të Kosovës, deputetja Albulena Haxhiu, ka komentuar zhvillimet e fundit pas dështimit të 40-të me radhë për konstituimin e Kuvendit.
Foto: Ilustrim
Ajo ka deklaruar se qëndrimi i saj për t’u tërhequr nga kandidatura nëse nuk merr 61 vota në votim të fshehtë ishte inicuar në mënyrë të njëanshme, por është mbështetur nga subjekti i saj politik dhe lideri Albin Kurti.
“Vetëm njëherë do të votohet për mua me votim të fshehtë. Nëse nuk i marr 61 vota, tërhiqem nga kandidatura. Ka qenë qëndrim i njëanshëm, por që është respektuar nga Kurti dhe nga Lëvizja Vetëvendosje”, deklaroi Haxhiu.
Deputetja Haxhiu rikujtoi se sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet brenda afatit prej 30 ditësh, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e tij. Sipas saj, pavarësisht se kjo çështje nuk është ngritur drejtpërdrejt nga partitë opozitare gjatë kontestimit të procesit në Kushtetuese, gjykata ka vendosur për afatin konstituiv, duke tejkaluar kërkesën fillestare.
Ajo shtoi se, sipas bindjes së saj, Kuvendi është dashur të konstituohej që në mbledhjen e parë më 15 prill, duke theksuar se problemi kryesor është mungesa e votës së opozitës për të mundësuar formimin e komisionit për votim të fshehtë, proces pa të cilin nuk mund të vazhdohet me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
“Fatkeqësisht deputetët e opozitës nuk po votojnë – as për, as kundër, e as nuk po abstenojnë. Për sa kohë ne kemi bërë lëvizje, i ka përmendur edhe kryetari Kurti pas takimeve. Është e pakuptimtë që të shkosh në takim dhe të mos bësh asnjë lëvizje”, tha Haxhiu.
Në lidhje me përpjekjet për tejkalimin e bllokadës institucionale, Haxhiu konfirmoi se Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme të marrë pjesë në takimet e ftuara nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duke theksuar se deri më tani nuk kanë marrë ndonjë ftesë të re për takim, por janë të hapur për pjesëmarrje edhe në takime që mund të thirren nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“Nuk përjashtojmë që të ketë takime që ftohen edhe nga kryetari Kurti. Ne kemi qenë të hapur që të marrim pjesë në takimet që i ka ftuar presidentja Osmani, ndonëse deri më tani kemi pasur vetëm një takim. Të tjerat do të ndodhin gjatë ditëve në vijim”, u shpreh ajo.
Seanca e 40-të konstituive e Kuvendit të Kosovës dështoi për shkak të mungesës së kuorumit për krijimin e komisionit që do të mundësonte votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.