Komandant “Gjarpri” Hashim Thaçi thirret në gjykatë për rastin e “Veteranëve të rrejshëm”

Foto: Hashim Thaçi - Presidenca e Republikës së Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, njëherësh njëri nga figurat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), është propozuar si dëshmitar në gjykimin e rastit të njohur si “Veteranët”.

Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, akuzohen ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, si dhe nëntë persona të tjerë.

Ata akuzohen për kohën sa ishin pjesë Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Propozimin që Thaçi të dëgjohet në këtë proces gjyqësor, e ka dhënë mbrojtësi i të akuzuarit Fadil Shurdhaj, avokati Skënder Musa.

“Propozoj që si dëshmitar të ftohet drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të UÇK-së, Hashim Thaçi, komandantë të 7 zonave të UÇK-së, komandantët e brigadave, komandantët e batalioneve dhe komandantët e togës. Emrat do ja u sjellim me shkrim. Arsye se pse i propozojmë është se emrat e veteranëve janë dhënë nga komandantët e zonave, komanda tate e brigadave, togave, batalioneve. Edhe pse këtu kemi të akuzuar disa komandat të zonave, ne me shkrim do të paraqesim qe zëvendësit e tyre te dëgjohen”, ka thënë ai.

Avokati Musa, ka treguar edhe arsyet se pse e ka propozuar edhe Thaçin si dëshmitar në këtë proces gjyqësor.

“Arsye se pse kam propozuar që si dëshmitari të dëgjohet drejtori i Drejtorisë Politike të UCK-së, qëndron në faktin se ai ka qenë personi qe ka negociuar transformimin e UÇK-së në TMK, dhe ne mendojmë që ka pas lista të ushtarëve të UÇK-së të cilët kanë mbetur në struktura të TMK dhe pjesa e tjetër që ka kaluar në civil. Arsye e dytë, është se ai ka qenë personi që të futen në listat e veteranëve te UÇK-së, edhe pjesëtarët e Ministrisë së Mbrojtjes”, ka deklaruar ai.

Seanca është duke vazhduar dhe më pas pritet të vendoset lidhur me këto propozime dhe të tjera që mund të dalin gjatë kësaj seance.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gushtin e këtij viti.

Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, që të urdhërohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19.500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate që ta lëshoj masën për ndalimin  e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale..

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.

Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  88.769.217.04 euro. /BetimipërDrejtësi/