Hashim Thaçi mund ta lërë Presidencën për ta “shpëtuar” PDK’në

Hashim Thaçi mund ta lërë Presidencën për ta “shpëtuar” PDK’në

Veprimi i befasishëm i Ramush Haradinajt për t’u larguar nga posti i Kryeministrit e ka zënë keq Partinë Demokratike të Kosovës, e cila, nga viti 2016, udhëhiqet nga Kadri Veseli. PDK, e cila për vite me radhë udhëhoqi me pushtetin, ka vetëm 23 deputetë.

Sipas sondazheve të fundit po lufton për vend të tretë. Shefi aktual i PDK’së, Kadri Veseli, i cili u rizgjodh javë më parë në krye të partisë, nuk e ka gjetur formulën për ta mbajtur lart subjektin që e drejton. Duke parë që, dikur forca e parë politike, po shkon teposhtë, Gazeta Express merr vesh se Hashim Thaçi po e shqyrton mundësinë që të kthehet edhe një herë në PDK

Tash e sa kohë Hashim Thaçi është ulur në karrigen e presidentit të shtetit. Por, që prej se ia la në duar partinë Kadri Veselit, PDK nuk i ka punët aq mirë sa i pati për më shumë se një dekadë kur i printe Thaçi.

Pavarësisht se ndër vite nga PDK u larguan disa prej njerëzve më të votuar si Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi, kjo nuk i bënte shumë problem ish-kreut të kësaj partie Hashim Thaçit, pasi që merrte qeverisjen duke krijuar koalicione me parti të ndryshme.

Mirëpo, që nga 2014-ta, kur ai qëndroi dy vite në pozitë të Ministrit të Punëve të Jashtme, për t’u bërë pastaj president, më 2016, partia që ai krijoi nuk po vazhdon të qëndrojë e njëjta.

Edhe pse në pushtet, në zgjedhjet e fundit, PDK mezi që arriti të krijojë një koalicion duke u bashkuar me AAK-në, Nismën, AKR-në, e shumë parti të vogla, që iu kushtuan me shumë ministri e një numër rekord të zëvendësministrave.

Tash partia e udhëhequr nga Kadri Veseli po insiston se në zgjedhje, edhe nëse nuk dalin vetëm, janë ata që do të mbajnë pozitën e kryeministrit.

Mirëpo, sondazhet nuk po i favorizojnë këta, aq shumë sa po pretendojnë, në fushatën që veçse kanë nisur.

Së fundmi, Instituti i njohur slloven IFIMES që analizon gjendjen në Lindjen e Mesme dhe në Ballkan ka shkruar një shkrim për situatën në Kosovë pas zhvillimeve të fundit që ka të bëjë me dorëheqjen e Ramush Haradinajt dhe zgjedhjet e parakohshme.

Për vend të parë u shkrua se janë duke garuar VV dhe LDK, derisa AAK dhe PDK po luftojnë për të mbajtur vendin e tretë.

Kadri Veseli pavarësisht se u zgjodh në krye të PDK-së, kjo pa pasur asnjë kundërkandidat nuk po vlerësohet mjaftueshëm për lidership.

Si duket kjo po ia prish atij punët me strukturat e PDK-së, duke ditur se në zgjedhjet e fundit ato e falën pozitën e kryeministrit, vetëm për të mos mbetur në opozitë.

Së fundmi raportohet se kjo teposhtë nëpër të cilën po kalon Partia Demokratike e Kosovës po e alarmon Hashim Thaçin, që ende e mbikëqyr nga brenda me njerëzit e tij PDK-në.

I njëjti po e parashtron mundësinë që të kthehet në krye të partisë, pas dy viteve kur edhe i përfundon mandati.

RAPORTO