Hasani takon Thaçin në Hagë: Diplomacia shqiptare vazhdon të kërkojë proces gjyqësor të hapur dhe transparent

17.04.2024

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Igli Hasani ka kryer një vizitë në Gjykatën Speciale në Hagë ku ka pasur një takim më ish-Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.

Hasani takon Thaçin në Hagë: Diplomacia shqiptare vazhdon të kërkojë proces gjyqësor të hapur dhe transparent Foto: Ilustrim

Në një video mesazh pas takimit, Hasani është shprehur se Thaçi është në gjendje të mirë, optimist dhe me besim të palëkundur se drejtësia do të triumfojë.

“Ishte vërtet mbresëlënës kurajo e tij, ekuilibri i brendshëm, kthjelltësia dhe vizioni që ka për të ardhmen. I vetëdijshëm se proceset gjyqësore janë një maratonë me të përpjeta dhe tatëpjeta, garën e fiton ai që është i përgatitur psikologjikisht”, tha më tej Hasani.

Ministri i Jashtëm u shpreh gjithashtu se mbështetja ndaj luftëtarëve të UCK-së nuk do të mungojë asnjëherë.

“Populli shqiptar nuk i harron as përpjekjet dhe as sakrificat e bijve të vet si në lufta ashtu edhe në paqe”, tha Hasani.

Ai shtoi se diplomacia shqiptare do të ngulë këmbë në zbatimin e standardeve  për një proces gjyqësor të hapur dhe transparent, në respektim të plotë të të drejtave të njeriut sipas konventave ndërkombëtare,” tha ministri.