Haradinaj thotë se Kuvendi duhet të votojë edhe diçka para shpërbërjes

Haradinaj thotë se Kuvendi duhet të votojë edhe diçka para shpërbërjes

Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pasi që në Kryesi të Kuvendit është caktuar 22 gushti si datë për shpërbërje.

Përmes një shkrimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se ky është veprim i duhur konform ligjeve dhe Kushtetutës së vendit.

“Vendimi i Kryesisë së Kuvendit për të mbajtur seancë me 22 Gusht 2019, për shpërbërjen e Kuvendit, është veprim i duhur dhe konform ligjeve dhe Kushtetutës së vendit”, ka shkruar Haradinaj, raporton Express.

Tutje, kryeministri në dorëheqje, tha se ky vendim do t’i hap rrugë procesit zgjedhor në vend, si opsion i domosdoshëm.

“Ky vendim, do t’i hap rrugë procesit zgjedhor në vend, si opcion i vetëm dhe i domosdoshëm. Po ashtu, është për tu përshëndetur vendimi i kësaj kryesie, që para shpërbërjes, Kuvendi të votojë për Marrëveshjen Ndërkombëtare IPA2, nga e cila Kosova fiton rreth 90 milionë euro fonde nga BE. Kthimi i mandatit te Sovrani dhe zgjedhjet e lira dhe demokratike, janë jetike për vendin dhe për proceset e rëndësishme që na presin”, tha ai.

Në kryesi të Kuvendit është vendosur sot që me 22 gusht të shpërndahet Kuvendi i Kosovës në mënyrë që të shkohet me zgjedhje të jashtëzakonshme./Express/

RAPORTO