Qeveria në detyrë Haradinaj thotë se fondi rezervë i shtetit u shpenzua me miratim të kabinetit qeverisës

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj ka arsyetuar shpenzimin e fondit rezervë të buxhetit të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka shkruar se nga ky fond janë ndarë mjete për t’i ndihmuar fermerët nga vërshimet, për t’i paguar orët shtesë të zjarrëfikësve dhe situata të ngjashme.

Haradinaj thotë se për ndarjen e këtyre mjeteve ka pasur gjithmonë miratimin e Qeverisë.

“Fondi rezervë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, është fond i cili mbulon shpenzimet që nuk kanë linjë buxhetore dhe të cilat nuk janë paraparë fillimisht në buxhetin vjetor financiar. Rëndom, në këtë kategori, për një vit financiar ndahen rreth 5 milionë euro, derisa varësisht nga vijueshmëria dhe nevoja, ky fond rimbursohet, pas alokimeve buxhetore, të inicuara nga Ministria e Financave dhe të aprovuara nga Qeveria”, ka shkruar ai.

Sipas tij, pothuajse në çdo vit, përfshirë këtu edhe vitet kur kanë qeverisur të tjerët, shuma totale e ndarjes qoftë fillestare, qoftë e mëvonshme, kalon mbi 7 milionë euro.

Haradinaj thotë se këtë vit, ky fond është shpenzuar pasi që është bërë ndarja e mjeteve për Shqipërinë, pas tërmetit me pasoja tragjike.

“Arsyeshmërinë, procedurat konform ligjeve të vendit dhe vendimet, i bënë gjithmonë Ministria e Financave dhe Qeveria e Kosovës. Çdo alokim dhe përcaktim është bërë me arsyeshmërinë më të lartë, sipas nevojave dhe në përputhje me ligjin”, ka shkruar ai.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.