Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, nesër do të mbajë mbledhje të Qeverisë në largim ku do në rend ditë do të jenë, aprovimi i procesverbaleve të disa prej mbledhjeve të kaluara, shqyrtimi i propozim-vendimit për kursime dhe ndarje buxhetore të organizatave buxhetore, shqyrtimi i raportit të Thesarit për të hyrat dhe shpenzimet nëntëmujore dhe shqyrtimi i propozim-vendimit për rivarrimin e Dëshmorëve të Kombit.

Haradinaj pas dorëheqjes së tij i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese nëse ka të drejtë të thërrasë mbledhje por përgjigja nga Kushtetuesja kishte qenë se çështjet e ngritura nuk hyjnë në fushëveprimin e juridiksionit të kësaj gjykate.

Kryeministri në Detyrë, Ramush Haradinaj sot gjatë ditës ka deklaruar se mbledhja e thirrur për nesër u bë me kërkesë të Ministrit në detyrë të Financave, Bedri Hamza.

“Mbledhja është kërkuar nga ministri i Financave, Bedri Hamza, për rirregullim dhe rialokimi i mjeteve që është obligim ligjor në fundvit për me mundësua funksionimin e të gjithë sektorëve, pra pagave dhe besoj që do të ketë nesër.”, ka deklaruar Haradinaj.

Po ashtu ai deklaroi se: “Shteti funksionon dhe nuk ka kurrfarë rrezikimi. Sepse demokracia në Kosovë është e avancuar. Prej rastin të dorëheqjes sime, shpërbërja e parlamentit, të gjitha këto janë procese të parapara me ligj”.

Pikat e Rendit të Ditës:

1. Aprovimi i procesverbaleve nga mbledhjet 106, 107, 108, 109, 110, 111 dhe 112 të Qeverisë së Republikës së Kosovës (ZKM);
2. Shqyrtimi i Propozim-vendimit për kursime dhe ndarje buxhetore të organizatave buxhetore, në pajtim me nenin 15 të Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019 (MF);
3. Shqyrtimi i Raportit të Thesarit për të hyrat dhe shpenzimet për periudhën 9 mujore (MF);
4. Shqyrtimi i Propozim-vendimit për rivarrimin e Dëshmorëve të Kombit (ZKM);
5. Të ndryshme.