Haradinaj në Suharekë: Me asnjë çmim nuk do ta lëshojmë tokën tonë

Haradinaj në Suharekë: Me asnjë çmim nuk do ta lëshojmë tokën tonë

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka bërë dje homazhe te varri i heroit të Kosovës, Ramë Bllaca, në fshatin Bllacë të Suharekës, dhe mori pjesë në tubimin përkujtimor me rastin e zbulimit të Pllakës së patriotit, Ramë Bllaca, në nderim të jetës dhe veprës së tij.

Në Tubimin Përkujtimor, ku të pranishëm ishin zyrtarë shtetërorë, familjarë të dëshmorëve e luftëtarë, klerikë fetarë si dhe shumë personalitete të tjera, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, tha se për të gjithmonë ka qenë kurreshtje, të kuptojë më shumë për jetën e heroit tonë kombëtar, Ramë Bllaca, rrethanat në të cilat ai ka vepruar, t’i kuptojmë ato kohëra dhe të dimë se me çfarë është përballur ose për të provuar që të ndjejmë sadopak atë nëpër të cilën ka rënë heroi ynë.

“Nuk ka qenë e lehtë që të kuptohet ajo kohë, ajo rrugë, mirëpo nëse duam të analizojmë ngjarjet e asaj kohe dhe të para asaj kohe, një vit para se të lind heroi ynë, ndodhi Lidhja e Prizrenit. Çka ishte Lidhja e Prizrenit për shqiptarët, ishte një alarm që me shpërbërjen e një perandorie e të një sunduesi, të mos lejohet copëtimi dhe shpërbërja jonë. Ishte një besëlidhje shqiptare, një porosi e dërguar për kombin, por edhe për fuqitë e mëdha të asaj kohe, për të drejtën tonë që si shqiptarë, edhe ne të jetojmë në vete”, tha kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.

Ndër tjerash, kryeministri në detyrë, Haradinaj tha se po në këtë kohë ndodhi tragjedia më e madhe ndaj cilitdo popull të Ballkanit që kishte ndodhur ndonjëherë, ku qindra vendbanime shqiptare të njohura sot si regjion i Toplicës ishin shpërngulur me dhunë e në përndjekje, kishin përjetuar masakra e tortura në heshtje nga të gjitha fuqitë e mëdha të asaj kohe.

Serbia e vjetër, siç tha kryeministri në detyrë, Haradinaj, nuk do të kishte hequr dorë prej qëllimit, që pos rajonit të Toplicave, një logjikë të tillë të largimit të popullit autokton prej trojeve të veta ta vazhdojë, dhe kërkonte metoda tjera dhe aleatë të ri që ta zhvendosë popullin vendas shqiptar.

“Pra ishte një fuqi e madhe e cila e kishte kryer veç gjysmën e punës dhe ishte në rrugë e sipër për ta kryer gjysmën tjetër, por doli një shqiptar që i tha jo një qëllimi të padrejtë, vrasës, një qëllimi jo human që të largohet nga trojet e veta një popull. Jam i bindur se e ka ditur se çfarë do të thoshte kjo dhe jam i bindur se e ka ditur se çfarë do të ndodhte me të dhe me të tjerët që e kanë ndjekur në këtë rrugë, që i kanë qëndruar besnikë, që nipa e mbesa kanë për të vazhduar të jetojnë në tokën e tyre”, shtoi kryeministri në detyrë, Haradinaj.

Duke folur për veprën e tij, kryeministri në detyrë, Haradinaj, tha se i jemi borxh heroit tonë, Ramë Bllacës, dhe gjithë atyre që edhe në këto kohë të vështira e kanë qëndruar në të drejtën tonë dhe e kanë marrë qëndrimin që e kanë marrë.

“I jemi përjetë mirënjohës për faktin se ne sot jemi në trojet tona, ne e ndjejmë tragjedinë e Toplicës dhe qindra vendbanimeve shqiptare dhe e ndjejmë dhe e përjetojmë e bartim brez pas brezi por po ashtu do ta bartim brez pas brezi porosinë e heronjve, porosinë e heroit tonë Ramës që me asnjë çmim nuk do ta lëshojmë tokën tonë dhe askush nuk do të mund të na ndajë prej tokës tonë”, tha kryeministri në detyrë, Haradinaj.

RAPORTO