Haradinaj kërkon heqjen e vizave, nuk zmbrapset për taksën

Shefi i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë së martës ka udhëtuar në Berlin për ta takuar kancelaren gjermane Angela Merkel. Në këtë takim, që do të mbahet sot, pritet të diskutohet për vizat, për procesin integrues, për dialogun dhe për marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës e Gjermanisë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, do të takohet sot me kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel, me ç’rast gjatë këtij takimi do të kërkojë nga Merkel heqjen e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Kështu është bërë e ditur nga Zyra e Kryeministrit, zyrtarë të së cilës kanë thënë për gazetën se gjatë takimit do të kërkohet edhe mbështetje për procesin e negociatave me Serbinë.

Ndërkaq kanë lënë të nënkuptohet se nuk do të ketë lëvizje të qëndrimit të Qeverisë rreth taksës dhe se çështja e tarifës ndaj produkteve serbe nuk është e ndërlidhur me takimin e Berlinit, shkruan gazeta “Zëri”.

Ndërkohë vetë Haradinaj gjatë ditës së djeshme, pak para se të nisej për në Berlin, ka thënë se kjo vizitë ka për qëllim thellimin e marrëdhënieve dhe besimit mes Kosovës dhe Gjermanisë.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.