Sipas Haradinajt, Kurti po bën manovrime të ndryshme, pasi nuk ka numrat e nevojshëm për të formuar qeverinë.
Para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit, Haradinaj kritikoi edhe ministrat që janë bërë deputetë, duke e konsideruar këtë praktikë si “kriminale”. “Fakti që çon dorën në Kuvend dhe merr vendim si deputet, edhe shkon e çon dorën në qeveri, besoni është kriminale. Nuk mundet deputeti që voton në legjislaturë, të votojë edhe në qeveri. Këtij po i zbulohet mashtrimi. Është mashtrues. Po i del mashtrimi. Nuk i ka numrat, prandaj po manovron. Ne i kemi dhënë zgjidhje. I kemi premtuar votë për kandidat konsensualë,” deklaroi Haradinaj.
I pyetur për deklaratën e Kurtit në RTK, ku ky i fundit tha se Nisma e ndihmoi AAK-në të kalonte pragun zgjedhor, Haradinaj u përgjigj: “Besoj kjo është e ngjashëm sikur me thënë LVV-ja e ka kaluar pragun falë Listës GUXO dhe Alternativës, edhe kjo e jona ashtu është. Pa Alternativën, e pa Listën GUXO, as Vetëvendosje s’e kish kalu pragun.”
Këto deklarata të Haradinajt theksojnë tensionet politike dhe akuzat e ndërsjella në skenën politike kosovare, duke reflektuar vështirësitë në formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare.