Liderët kosovarë kujtojnë sulmet e 11 shtatorit

11.09.2020

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj kanë kujtuar sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidenti Thaçi ka kujtuar sulmet e 11 shtatorit ku nga sulmet terroriste në Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork dhe në Pentagon humbën jetën […]

Liderët kosovarë kujtojnë sulmet e 11 shtatorit Foto: Ilustrim

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj kanë kujtuar sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidenti Thaçi ka kujtuar sulmet e 11 shtatorit ku nga sulmet terroriste në Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork dhe në Pentagon humbën jetën mijëra civilë të pafajshëm nga SHBA-ja dhe vende të ndryshme të botës. 

Gjithashtu, Thaçi kujton edhe heroizmin e udhëtarëve në aeroplanin e United Airlines, që parandaluan një goditje tjetër terroriste duke sakrifikuar jetën e tyre me rrëzimin e këtij aeroplani në shtetin e Pensilvanisë. 

Thaçi thotë se Kosova mbetet e përkushtuar për luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit.

Kosova mbetet e përkushtuar në luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit kurdo që cenohen vlerat tona të përbashkëta. Sot, sikurse edhe më 11 shtator 2001, ne ndajmë dhimbjen me popullin amerikan.

Kryetari i AAK-së, Haradinaj ka thënë se sulmet e 11 shtatorit në 2001 nuk kishin cak ta godasin vetëm SHBA-në por mbarë njerzimin.

Sulmet terroriste të 11 shtatorit mbi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbeten ndër ngjarjet më të tmerrshme, që për cak kishin të godasin jo vetëm popullin, institucionet dhe demokracinë amerikane, por mbarë njerëzimin.

Gjithashtu Haradinaj është shprehur se “shtatori mbetet në kujtesën tonë si ngjarja më tragjike e drejtuar ndaj simbolit të lirisë dhe investuesit historik për paqe e siguri në mbarë botën”.

Haradinaj ka thënë se sot pas 19 viteve SHBA me aleatet e saj duke përfshirë edhe shqipëtarët arritën të ngadhënjejnë ndaj të keqes, me synim një botë të qetë e të sigurt për brezat e rinj.

Ndër tjera Haradinaj ka shtuar se “populli dhe shteti i Kosovës, janë përjetë mirënjohës ndaj popullit dhe institucioneve amerikane për ndihmën e dhënë në çdo epokë të historisë sonë. Ishim dhe do të jemi përherë krah Amerikës në rrugën e avancimit të demokracisë dhe paqes në botë”.