Haradinaj kërkon rikthimin e Ligjit të Pagave, flet për Salih Zybën dhe Albena Reshitajn
I shoqëruar nga anëtarë të partisë së tij, ashtu siç edhe kishte paralajmëruar, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka mbajtur sot konferencë për media. Qëllimi i kësaj konference sipas Haradinajt ishte për Ligjin e Pagave ku sipas tij është punuar mbi 10 vite. Haradinaj ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që këtë ligj ta rikthejë […]
I shoqëruar nga anëtarë të partisë së tij, ashtu siç edhe kishte paralajmëruar, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka mbajtur sot konferencë për media.
Qëllimi i kësaj konference sipas Haradinajt ishte për Ligjin e Pagave ku sipas tij është punuar mbi 10 vite.
Haradinaj ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që këtë ligj ta rikthejë në procedurë, ta amandamenton ku ka vërejtje dhe ta kthejë në parlament për votim.
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se është punuar bashkërisht që ky ligj të jetësohet.
“Pabarazia në paga ka qenë e madhe e mbi të gjitha në koeficientet. Kemi një vendim të kushtetueses, vendim ky që nuk e konteston ligjin por i konteston amendamentimet që janë futur në komision dhe disa riorganizime që janë bërë në tabelën e pagave. Andaj ajo që ne kërkojmë dhe i sugjerojmë qeverisë aktuale është që të vazhdojë rregullimin e pagave”, ka thënë Tahiri.
I pyetur nga gazetarët për deklaratën e tij kundër deputetit të LVV-së, Salih Zyba, si sekser, Haradinaj prapë e ka përsëritur se Zyba është sekser klasik dhe se ka pasur kërkesë nga ky i fundit për takim mirëpo e ka refuzuar.
“Zyba ka kontaktuar me deputetë tanë. Njëri nga deputetët tonë ka kërkuar që unë me u taku me të. Përgjigja ka qenë që ‘ju jeni sekser dhe s’takohem me ju, por jam i gatshëm të takohem me kryetarin e partisë. Por ndalni këto praktika të presionit, presion serioz i gjithanshëm, pos joshjes’. Zyba është një sekser klasik i cili e ka marrë përsipër në emër të partisë së vet trafikimin e votave”, ka thënë Haradinaj në një konferencë për media të mërkurën.
Gjithashtu Ramush Haradinaj është pyetur për ndonjë vendim të partisë ndaj deputetes Albena Reshitaj pasi që mori pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit.
“Vendimi i Albena Reshitaj është pjesë e trafikimit të votave, veprimi individual i’a ka pamundësuar AAK-së rolin e vet në ndërtimin e institucioneve. Nuk praktikohet kjo logjikë kështu. Ne nuk kemi ndonjë vendim për rastin e deputetes Reshitaj” ka shtuar ai.