Premtimi Haradinaj i ndërron fjalët, tani liberalizimi i vizave në pranverë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj muaj më parë kishte paralajmëruar se liberalizimi i vizave për kosovarët do të ndodhë në muajin dhjetor të vitit aktual, por tani ai ka ndryshuar fjalët duke thënë se liberalizimi do të ndodhë në pranverë.

Sipas Haradinajt liberalizimi i vizave do të shtyhet për në pranverë pasi që shtyerjes i kontriuboi edhe vonesa e formimit të institucioneve.

Ai në një intervistë për EkonomiaOnline tha se u ka dërguar shkresë vendeve të BE-së që janë vendimmarrëse dhe se u ka kërkuar që të ndodhë liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, por tashmë edhe vetë Haradinaj nuk shpreson se një vendim i tillë të merret në këtë vit.

Po ashtu Haradinaj tha se jam interesuar për kalendarin e Këshillit të Evropës dhe besoj që gjasat e ardhshme i kemi në fund të muajit shkurt dhe në fillim të marsit që me hy në rend dite.

“Jemi më skeptik tash. Është zor me ndodh sepse po shihet që jemi afër Krishtlindjeve. Jam interesuar për kalendarin e Këshillit të Evropës dhe besoj që gjasat e ardhshme i kemi në fund të shkurtit, fillim të marsit, që me hy në rend dite. Unë kam vazhduar komunikimin me palët dhe ju kam bërë shkresa të gjitha shteteve vendimmarrëse të BE-së për këtë temë që është një padrejtësi. Mund të ketë ndikuar në shtyrje pak edhe vonesa në formim të institucioneve, që disi po na zbehin fuqinë tonë, pasi që kemi mbajt zgjedhje por nuk po e japim lajmin e duhur për institucionet e reja. Dhe besoj që kjo na ka krijuar problem”, ka thënë ai për EO.

Sipas Haradinajt qeveria ka kryer të gjitha obligimet dhe se vonesat për liberalizim po bëhen pa ndonjë arsye.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.