Çlirim Gashi
19.04.2019, 18:00

Haradinaj: E vërteta për krimet që janë kryer në Kosovë, nuk mund të mohohet

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka përgatitur një letër drejtuar parlamenteve të vendeve mike, për të kërkuar nga ta hartimin e rezolutave që në mënyrë zyrtare të njohin Serbinë si shkaktar të krimeve në Kosovë.

Shefi i Qeverisë, Ramush Haradinaj thotë se kjo është iniciativë e mirë, duke shtuar se e rëndësishme është që të të gjithë të jenë unik.

“Është mirë iniciativa e kryetarit Veseli, është me rëndësi që të gjithë të jemi unik, pra kjo është një temë që buron nga e drejta e viktimave, e drejta humane. Duhet të mbrohet pra e drejta e asaj që ka ndodhur dhe janë krime makabre që kanë ndodhur në Kosovë”, ka përfunduar Haradinaj.

I pyetur nëse është optimist për mbështetjen ndërkombëtare lidhur me këtë çështje, meqë disa vende luftën e Kosovës e konsiderojnë konflikt dhe jo luftë, Haradinaj tha se e vërteta për krimet që janë kryer në Kosovë, nuk mund të mohohet dhe se kjo vërtetë është dëshmuar edhe në Gjykatën e Hagës.

“Unë mendoj që e vërteta e Kosovës nuk mund të mohohet, e vërteta e krimeve të shtetit serb, të instancave më të larta, disa prej tyre janë faktuar edhe në Gjykatën e Hagës, edhe në gjykata të tjera, mirëpo është me rëndësi një vendim institucional i Kosovës që me të vërtetë të vlerësohet se çfarë ka ndodhur në vend, por njëkohësisht edhe të mbrohet e drejta e viktimave, e drejta e dhimbjes, të mbrohet nga ofendimi, nga mohimi nga të gjitha ato”, tha Haradinaj.

Ndryshe, në Kuvendin e Kosovës është formuar edhe një komision i përkohshëm, i cili do të hartojë një rezolutë, përmes së cilës do të dënohen mohimi i krimeve dhe gjenocidit në Kosovë.