Ashtu siç edhe kishte paralajmëruar Ramush Haradinaj, për dorëheqjen e tij nga posti i Kryeministrit, ai sot e dërgoi zyrtarisht letrën e dorëheqjes në Kuvendin e Kosovës.

Gjatë një komunikate, Drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit ka bërë të ditur se Haradinaj e dërgoi zyrtarisht letrën e dorëheqjes.

Në njoftimin e kësaj drejtorie thuhet se: “Sot, kryeministri në dorëheqje i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dorëzuar në Kuvend zyrtarisht letrën e dorëheqjes së tij. Letra e dorëheqjes u është proceduar menjëherë anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit dhe kryetarëve të grupeve parlamentare”.

Në ditën e premte të javës së kaluar, Ramush Haradinaj dha dorëheqje të parevokueshme nga pozita e Kryeministrit të Kosovës.

Sipas Haradinajt arsyeja për dorëheqjen nga posti i Kryeministrit ka ardhur për shkak se ka marrur ftesë nga Gjykata Speciale për t’u intervistuar.

Kujtojmë se Ramush Haradinaj gjatë një konference për media ai tha se nuk do të shkojë në cilësinë e Kryeministrit të Kosovës, pasi sipas tij kjo do të ia rëndonte Kosovës gjendjen.