Kryeministri i Kosovës z. Ramush Haradinaj, zv.kryeministri Enver Hoxhaj, kryetari i Komunës Bali Muharremaj, zyrtarë tjerë dhe familjarë të viktimave civile të luftës, kanë bërë sot homazhe dhe kanë vendosur kurora me lule te lapidari i mbi 500 viktimave civile të luftës nga Komuna e Suharekës. Kryeministri Haradinaj ka vizituar edhe lokalin ku janë vrarë e masakruar anëtarët e familjes Berisha në lokalin ish “ Kalabria”.

Secili martir i kësaj toke, ka dhe një ekzekutor, që duhet të dënohet për këto krime çnjerëzore. Përgjigja më e mirë, atyre që deshën ta zhdukin një popull të tërë, është ringjallja, për të cilën fëmijët e Kosovës janë dëshmia më e fuqishme se ne kurdoherë gjejmë forcën për të shikuar kah e ardhmja.

Nuk do të ndalim kurrë betejën tonë, për të sjellë kryesit e këtyre krimeve para drejtësisë si dhe për të zbardhur fatin e të pagjeturve. Lavdi e përjetshme martirëve dhe dëshmorëve të masakrës së Krushës së Madhe, Krushës së Vogël, familjes Berisha nga Theranda dhe të të gjitha masakrave anëkend Kosovës! I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!