Hapen dy korridore ajrore Kosovë-Shqipëri

24.01.2024

Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA) ka mbajtu ceremoninë e hapjes zyrtare të korridoreve ajrore me Republikën e Shqipërisë. Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishte dhe kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Infrastruktutrës, Liburn Aliu; ambasador të vendeve të QUINT-it dhe të Ambasadës së Shqipërisë; përfaqësues të KFOR-it si dhe përfaqësues të avio kompanive në […]

Hapen dy korridore ajrore Kosovë-Shqipëri Foto: Ilustrim

Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA) ka mbajtu ceremoninë e hapjes zyrtare të korridoreve ajrore me Republikën e Shqipërisë.

Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishte dhe kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Infrastruktutrës, Liburn Aliu; ambasador të vendeve të QUINT-it dhe të Ambasadës së Shqipërisë; përfaqësues të KFOR-it si dhe përfaqësues të avio kompanive në Kosovë.

Marrëveshja me Shqipërinë, për ta shfrytëzuar korridorin ajror të këtij vendi, është arritur në vitin 2020.

Kjo marrëveshje ka paraparë hapjen e dy pikave koordinuese ajrore, Kukad dhe Arbër.

Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC), i cili menaxhon hapësirën e ulët ajrore të vendit, marrëveshja nuk është zbatuar për shkak të disa procedurave teknike që është dashur të miratohen nga Shqipëria dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Ndryshe nga hapësira e ulët ajrore e Kosovës që menaxhohet nga AAC-ja, hapësira e lartë – ajo mbi 6.200 metra, e hapur për trafikun komercial nga viti 2014 – është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it. Kjo, për shkak se Kosova nuk ka arritur ende kapacitete për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore.

Në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i KFOR-it është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës që nga viti 1999.