Guvernatori i BQK-së: Qeveria e ardhshme fokus duhet ta ketë ekonominë
Nesër qytetarët e Kosovës me të drejtë vote do ta kenë mundësinë t’u drejtohen kutive të votimit e të votojnë të përzgjedhurit e tyre në zgjedhjet parlamentare. Ndërsa menjëherë pas këtyre zgjedhjeve pritet të formohet Qeveria e re. Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) Fehmi Mehmeti ka thënë se Qeveria e re duhet të […]
Nesër qytetarët e Kosovës me të drejtë vote do ta kenë mundësinë t’u drejtohen kutive të votimit e të votojnë të përzgjedhurit e tyre në zgjedhjet parlamentare.
Ndërsa menjëherë pas këtyre zgjedhjeve pritet të formohet Qeveria e re.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) Fehmi Mehmeti ka thënë se Qeveria e re duhet të ketë në fokus ekonominë veçanërisht adresimin e sfidave që i ka Kosova ndër vite, papunësinë, deficitin tregtar dhe sanimin e dëmeve ekonomike të shkaktuara nga pandemia COVID-19.
Mehmeti ndër të tjerash ka thënë se sektori bankar ka pasur dhe vazhdon ta ketë rolin e saj në rimëkëmbjen ekonomike.
Guvernatori Mehmeti në një intervistë për KosovaPress ka thënë se BQK pret që për vitin 2021 vendi të ketë një rritje ekonomike prej 4 përqind, gjithnjë nëse situata me pandeminë shkon drejt përmirësimit.
“Sugjerimet tona si Bankë Qendrore, BQK edhe me ligj është këshilltar i qeverisë, janë që qeveria e ardhshme fokus duhet ta ketë ekonominë, me qëllim që të kemi një rritje sa më të madhe ekonomike.
Një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe njëkohësisht një rritje e cila përpos që adreson sfidat që i ka pasur ndër vite Kosova, që është papunësia, deficit i lartë tregtar, njëkohësisht i sanon edhe dëmet ekonomike të shkaktuara nga pandemia”, theksoi Mehmeti.
Po ashtu Guvernatori i BQK-së beson se nëse vihet nën kontroll pandemia përmes vaksinimit deri në gjashtëmujorin e parë, sivjet pritet të ketë një rikthim të rritjes ekonomike.
Mehmeti po ashtu thotë se tkurrja ekonomike prej -7.2 për qind për vitin që lamë pas ka shkaktuar dëme të mëdha në humbjen e mijëra vendeve të punës, në uljen e konsumit, të investimeve dhe mungesës së parasë në treg.