Gjykimi për mashtrim me viza pune gjermane, sipas dëshmitarëve klientët kanë paguar deri në 3000 euro

  • 16.04.2019, 21:49

Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, po vazhdon gjykimi ndaj të akuzuarve për mashtrim me viza pune për në shtetin e Gjermanisë.

Të akuzuarit janë Flamur Hoxha, Besim Rexhaj dhe Veprim Rexhepi.Në seancën e së martës, kanë dhënë dëshminë e tyre, Arlind Hoxha, Bilbil Mazreku dhe Marina Paluca, të cilët kanë thënë se kanë qenë pjesë e stafit të shkollës “DBBS”.

Lidhur me këtë rast, Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj, akuzohen se në bashkëkryerje kanë mashtruar një numër të madh të qytetarëve, nga të cilët kanë marrë para prej 2500-3000 euro, kinse do t’i punësojnë në Gjermani, e më pas duke keqpërdorur në forma të ndryshme me fondet në fjalë.Ndërsa, Veprim Rexhepi, akuzohet se me anë të falsifikimit, ka nënshkruar rreth 400 kontrata pune për në shtetin e Gjermanisë, pa qenë i autorizuar fare nga personat përgjegjës, në emër të të cilëve janë lëshuar këto kontrata.Krahas dy dëshmitarëve Mazreku dhe Paluca, të cilët kanë dhënë dëshminë e tyre, Arlind Hoxha, është liruar nga dëshmia, pasi që është cilësuar si dëshmitar i privilegjuar, duke qenë vëllai i të akuzuarit në këtë rast, Flamur Hoxha.

Më pas, rrjedha e kësaj seance ka vazhduar me dëgjimin e Bilbil Mazrekut, i cili në pyetjen e prokurorit special Afrim Shefkiu, ka thënë se drejtor i shkollës “DBBS”, në të cilën ka punuar ai, ka qenë Flamur Hoxha.Ai ka thënë se fillimisht në këtë shkollë ka filluar të punojë si kamerier, e në ndërkohë ka kaluar në pozitën e administratorit, siç ka thënë ai, detyra e tij ka qenë të merret me telefonata, dhe t’i njoftojë kandidatët se çfarë kushte duhet të plotësojnë për aplikim për vizë pune gjermane, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në fillim kur kam hy në atë punë, të gjithë të interesuarit që kanë ardhur për plotësimin e dokumenteve, puna ka qenë pa pagesë. Nuk janë kërkuar para nga klientët, por pasi që të kryhen shërbimet atëherë është dashur të paguajnë secili nga 3000 mijë euro”, ka thënë dëshmitari Mazreku.

Ai ka thënë se në këtë zyre ka punuar deri në momentin e arrestimit të Flamur Hoxhës.Duke iu përgjigjur prokurorit special Afrim Shefkiu, ai ka thënë se të gjithë ata kandidatë të cilët janë tërhequr nga aplikacioni për vizë pune, atëherë sipas tij, Flamur Hoxha, të njëjtëve ua ka kthyer të hollat.Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Flamur Hoxha, avokatit Durim Nevzati, drejtuar dëshmitarit se çfarë cilësie të punës ka pasur në shkollën DBBS, ai ka thënë se fillimisht ka punuar si kamerier në këtë shkollë, e më pas, siç tha ai, ka kaluar si administrator në zyrën brenda shkollës në të cilën ka menaxhuar Besim Rexhaj.

Më pas, dëshmitari Mazreku, është përgjigjur edhe në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Besim Rexhaj, avokatit Miftar Qelaj.“Ju në deklaratën tuaj të dhënë në polici, keni thënë se kur kam filluar punën, përgjegjës për zyre ka qenë Flamur Hoxha, sepse Besimi nuk ka qenë i pranishëm dhe krejt punët i ka kryer Flamuri. Dua të ceki për kohën që kam punuar rreth një muaj e gjysmë, janë ardhur disa kontrata dhe leje të punës me të cilat është marrë Flamuri”. A është e vërtetë kjo”, ka pyetur avokati Qelaj.

Kurse, dëshmitari e ka pohuar një deklarim të tillë.Pas dëgjimit të Bilbil Mazrekut, dëshminë e saj, e ka dhënë edhe Marina Paluca, e cila ka thënë se në atë kohë, ka punuar në zyrën e të akuzuarit Flamur Hoxha.“Fillimisht kam qenë punëtore në bife të DBBS, dhe nga aty i kam njohur tre këtu të pandehurit, e pas disa muajve kam filluar të punojë në zyrën e Flamur Hoxhës, ndërsa Besim Rexhaj nuk ka qenë”, ka thënë dëshmitarja Paluca.

Duke iu përgjigjur prokurorit special Afrim Shefkiu, se kush ka qenë drejtori i kësaj shkolle (DBBS), ajo ka thënë se aty ka qenë Flamur Hoxha.Për më tepër, ajo ka thënë se në këtë zyrë është marrë vetëm me telefonata, ku siç ka deklaruar ajo, kontakte fizike me klientët nuk ka pasur.Në pyetjen e prokurorit special, se sa ka qenë pagesa për aplikim, ajo ka thënë se një gjë e tillë nuk i kujtohet.Më pas, prokurori Shefkiu, e ka ballafaquar atë me një deklaratë të dhënë në polici, në të cilën sipas citimit të përfaqësuesit të akuzës, dëshmitarja kishte thënë se “në momentin kur një klient ka apliku, pagesa obligative ka qenë 500 euro, e më pas pjesa tjetër është paguar me ardhjen e kontratës”.

Duke u pyetur se a qëndron kjo deklaratë, dëshmitarja ka thënë se kjo është e vërtetë.Lidhur me mënyrën e pagesës, dëshmitarja ka thënë se ato janë bërë përmes bankës ose në formën “kesh”, si dhe sipas saj, pavarësisht mënyrës së pagesës këto të holla janë dorëzuar në bankë ose në zyrën ku ka qenë Flamur Hoxha.Po ashtu, prokurori Shefkiu, e ka ballafaquar edhe me një tjetër deklaratë dëshmitaren Paluca.“Pagesat e bëra nga kandidatët në formën kesh, në fund të çdo orari të punës, u janë dorëzuar Besimit ose Flamurit, si dhe në rast të mungesës së tyre, të hollat janë lënë në zyrat e tyre”. Duke u pyetur se a është e vërtetë kjo, dëshmitarja ka thënë se një gjë e tillë qëndron.

Më pas, ajo është përgjigjur edhe pyetjeve të mbrojtësit të të akuzuarit Flamur Hoxha, avokatit Nevzati.Duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Flamur Hoxha, avokati Nevzati, ajo ka thënë se Besim Rexhaj, në fillim ka qenë si menaxher, por sipas saj, pasi që ajo ka shkuar aty, menaxher ka qenë Flamur Hoxha.Ndërsa, në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Besim Rexhaj, avokatit Miftar Qelaj, se kush e ka punësuar në atë zyrë dhe kush e ka bërë pagesën, dëshmitarja ka thënë se këtë e ka bërë Flamur Hoxha.

Seanca e radhës për këtë rast, në të cilën pritet të dëgjohen dëshmitarët e radhës, sipas gjykatësit Osmani, do të vazhdojë më 17 prill 2019, prej orës 10:00.Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale (PSRK), të ngritur më 20 gusht 2018, me të cilën Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj, akuzohen se në periudhën 2016-2017, megjithëse e kanë ditur se të ardhurat burojnë nga aktivitete kriminale, kanë pranuar para nga qindra persona të dëmtuar, saktësisht 489 persona, me arsyetimin se do t’i punësojnë në Gjermani.Sipas aktakuzës, Hoxha dhe Rexhaj, nga të dëmtuarit e njëjtë i kanë marrë nga 2500 – 3000 euro, të cilët fare nuk i kanë dërguar në Gjermani, duke fshehur fondet në fjalë e më pas të njëjtat fonde duke i transferuar tek persona tjerë, me këto veprime kanë përvetësuar shumën prej 1.220.175.00 euro, nga të cilat kanë bërë shpëlarjen e parave në shumën prej 1.068.775.00 euro.Me këtë, në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, akuzohen se kanë kryer veprën penale “shpëlarje parash”, nga neni 308 i Kodit Penal të RKS, si dhe neni 32 parag 2. nën parag 2.1 dhe 2.2 i Ligjit mbi Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimin e Terrorizmit, lidhur me nenin 81 dhe 31 të Kodit Penal të RKS.

Sipas aktakuzës, të njëjtit akuzohen edhe për veprën penale të mashtrimit, nga neni 335, dhe atë të falsifikimit të dokumenteve nga neni 399, si dhe Shmangie nga Tatimi nga neni 313 të Kodit Penal të RKS.Kurse, Veprim Rexhepi, akuzohet se në periudhën 2016-2017, me anë të falsifikimit, ka nënshkruar rreth 400 kontrata pune për në shtetin e Gjermanisë, pa qenë i autorizuar fare nga personat përgjegjës, në emër të të cilëve janë lëshuar këto kontrata.

Me këtë, ai akuzohet për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve nga neni 398 parag 1 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, shkruan Lajminet.

Të tjera