Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari flet për hierarkinë e UÇK-së

22.02.2024

Në vazhdim të dëshmisë së tij, të enjten në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, dëshmitari Hajrush Kurtaj ka folur për hierarkinë raportuese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari flet për hierarkinë e UÇK-së Foto: GJykata Speciale

Në këtë pjesë të seancë, dëshmitari është marrë në pyetje nga gjyqtari Guénawl Mettraux, i cili u fokusua të hierarkinë raportuese duke filluar nga Policia Ushtarake e Brigadës 162, deri të Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

Gjyqtari Mettraux pyetjet i ka fokusuar në bazë të intervistës së dëshmitarit dhënë për ZPS-në, në dokumentet e publikuara në librin e tij dhe në përgjithësi për librin.

I pyetur se a ishte Xhabir Elezi komandant i Policisë Ushtarake të Brigadës 162, dëshmitari tha se në bazë të atij dokumenti po.

“Ka qenë kompetencë e Komandantit të Brigadës dhe unë nuk e kam vendosur në atë detyrë”, tha dëshmitari Kurtaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtari Mettraux pasi e lexoi një deklaratë të dëshmitarit dhënë për ZPS-së, ku ai kishte thënë se Xhabir Elezi i raportonte Qamil Iliazit (Komandant i Brigades 162 në Kaçanik), e pyeti se a i qëndron kësaj deklarate.

“Mund të kem thënë, megjithatë prapë po e përsëris, kompetenca e mia nuk kanë qenë me ditë se kujt-kush i raporton”, tha Kurtaj.

Kurse, dëshmitari u ballafaqua edhe me një deklaratë tjetër të dhënë për ZPS-në, ku sipas gjyqtarit në pyetjen se kujt i raporton Komandanti i Zonës, dëshmitari ishte përgjigjur se ai nuk ka qenë komandant Zone, por normalisht i raporton Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.

Lidhur me atë përgjigje, dëshmitari tha se ka mundur të jetë vetëm një supozim i tij dhe se ai nuk mund ta konfirmojë një gjë të tillë.

“Nuk muj me konfirmu, derisa nuk kam marrë pjesë nuk muj me konfirmu që është ashtu”, tha dëshmitari.

I ballafaquar edhe me pjesë tjera që ka shkruar në librin e tij lidhur me hierarkinë e UÇK-së, dëshmitari ka thënë se ato kanë qenë vetëm supozime të tija, por nuk ka pasur njohuri.

Paraprakisht, kundërpyetje për dëshmitarin Kurtaj pati prokurorit James Pace, i cili u fokusua tek një foto dhe një deklaratë e mëhershme e dëshmitarit të dhënë si përgjigje për mbrojtjen e të akuzuarve.

Gjatë dëshmisë së tij, Kurtaj thuhet ka thënë se për shkaqe sigurie nuk kanë përdorur telefona mobil dhe se ai nuk ka pasur.

Lidhur me këtë deklaratë, prokurori Pace e ballafaqoi dëshmitarin me një video ku shihen tre ushtarë të UÇK-së, njëri nga ta dëshmitari, duke përdorur një telefon mobil.

Për këtë, Kurtaj tha se telefonin e kishte marrë për përdorim nga një civil, për të biseduar me familjet e tyre.