Gjykatës Speciale sot i skadon afati 6 mujor i shqyrtimit të aktakuzës për presidentin Thaçi

24.10.2020

Dhomat e Specializuara të Hagës ende nuk e kanë njoftuar nëse aktakuza për krime lufte, ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është konfirmuar apo hedhur poshtë, ndërkohë afati prej gjashtë muajsh për ta bërë këtë, përfundon sot, më 24 tetor. Më 24 qershor të këtij viti një kumtesë për media e Zyrës së Prokurorit të […]

Gjykatës Speciale sot i skadon afati 6 mujor i shqyrtimit të aktakuzës për presidentin Thaçi Foto: Ilustrim

Dhomat e Specializuara të Hagës ende nuk e kanë njoftuar nëse aktakuza për krime lufte, ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është konfirmuar apo hedhur poshtë, ndërkohë afati prej gjashtë muajsh për ta bërë këtë, përfundon sot, më 24 tetor.

Më 24 qershor të këtij viti një kumtesë për media e Zyrës së Prokurorit të Specializuar i kishte prerë rrugën për në Washington presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Në njoftimin për media të asaj date, theksohet se më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

“Në Aktakuzë pretendohet se Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në Aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë. Aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm. Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar Aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat”, thuhet në kumtesë.

Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave të këtyre Dhomave, një gjyqtar, në rrethana të jashtëzakonshme nëse një prokuror i specializuar paraqet arsye të vlefshme përpara se të konfirmohet aktakuza – mund të lëshojë urdhër të përkohshëm për moszbulimin e aktakuzës para publikut, “për të parandaluar arratisjen e të akuzuarit, ose për të parandaluar ndonjë ndërhyrje tjetër në procedurë, ose trazirat shoqërore”.

“Në çdo rast, aktakuza do t’i zbulohet publikut, me ndryshime të mundshme nëse është e nevojshme, jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit përpara gjykatës”, thuhet në pikën 88 të kësaj Rregulloreje.

Ndërsa, Avokati Arianit Koci, ditë më parë ka thënë në emisionin Frontal në T7 se Gjykata Speciale duhet të konfirmojë se aktakuza ndaj presidentit Hashim Thaçi, dhe kryetarit të PDK’së, Kadri Veseli, është hedhur poshtë, në të kundërt i bie që ajo është konfirmuar së paku pjesërisht.