Lajme

Gjykata Speciale shpejt mund të nis punën e saj, priten aktakuza

Ilustrim

Viti që lamë pas pothuajse ishte viti i Gjykatës Speciale, ku shumë ish-ushtarë e ish-komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishin ftuar për intervistim nga kjo Gjykatë.

Numri i personave që janë ftuar nga Gjykata Speciale vetëm për vitin 2019 ishte mbi 250, ku disa prej tyre u ftuan në cilësinë e të dyshuarit, por edhe shumë prej tyre ftesën e kishin marrë vetëm si dëshmitarë.

Ndonëse kanë marrur ftesë mbi 250 persona, por nga kjo Gjykatë nuk është ngritur asnjë aktakuzë në vitin 2019.

Po ashtu kjo Gjykatë ndonjëherë ishte treguar edhe joprofesionaliste duke i dërguar ftesat edhe nëpër lokale të ndryshme.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së nuk i ka përjashtuar edhe protestat e ashpra për të kundërshtuar arrestimet.

Ndërsa edhe në vitin 2020 Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar e Kosovës me seli në Hagë, që kanë mandat dhe juridiksion për hetimin e krimeve të luftës në Kosovë, kanë dhënë sinjalet e para se shpejt mund të fillojnë me ngritjen e aktakuzave, për shkak se ky institucion ka hapur një konkurs, përmes së cilës kërkojnë 33 punonjës administrativë, zyrtarë ligjorë dhe përkthyes, shkruan sot gazeta Zëri.

Gjykata Speciale, e cila përbëhet nga Dhomat e Specializuara dhe nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, me seli në Hagë dhe që ka mandat e juridiksion mbi krimet kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera të parapara në legjislacionin e Kosovë, ka dhënë shenjat e para se po fillon përgatitjen për ngritjen e aktakuzave të para.

Kjo pasi Dhomat e Specializuara së fundmi kanë hapur një konkurs për 33 pozita të lira, duke përfshirë këtu edhe zyrtarë ligjorë, përkthyes të gjuhës shqipe dhe serbe, si dhe punonjës të tjerë administrativë. Hapjen e këtij konkursi për “Zërin” e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennett.

“Dhomat e Specializuara me të vërtetë kanë shpallur vende të lira pune, duke përfshirë edhe disa pozicione për Prokurorinë e Specializuar”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Kujtojmë se kryetari i OVL e UÇK-së, Hysni Gucati kishte thënë se sipas deklarimeve që kanë bërë të ftuarit shumë prej tyre janë thirr si dëshmitarë, por ka pasur edhe një numër që ftesën e kanë marrë si të dyshuar.

Sipas deklarimeve që kanë bërë të ftuarit, Gucati thotë se shumë prej tyre janë thirr si dëshmitarë, por ka pasur edhe një numër që ftesën e kanë marrë si të dyshar.

Gjykata Speciale me seli në Hagë u themelua me vendimin e Kuvendit të Kosovës në vitin 2015.