Gjykata Speciale nuk po i ndalë ftesat ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së, por ekziston mundësia që pjesë e të ftuarve nga kjo gjykatë mund të jenë edhe liderët shtetërorë, të cilët kishin edhe pozita kyçe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), qoftë ajo si i dyshuar apo edhe dëshmitar.

Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), derisa ka folur për punën e Gjykatës Speciale, ai për gazetën “Zëri” ka thënë se Gjykata Speciale e ka intensifikuar punën e saj vetëm që të krijojë një pasqyrë të qartë mbi funksionimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Duke u bazuar në numrin e ftesave të deritanishme për intervistim një pjesë të madhe ish-pjesëtarë të UÇK-së, sipas tij nuk mund të predikohet numri i aktakuzave që mund të ngrihen.

“Siç edhe shihet, Gjykata Speciale tanimë është duke bërë një punë intensive, me qëllim që të krijojë një pasqyrë të qartë se si ka funksionuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Për këtë arsye në cilësi të dëshmitarëve janë ftuar një numër i madh i personave”, ka thënë Shala.

Po ashtu ai për “Zërin” tha se: “Intervistimi i këtyre personave do t’i mundësojë Gjykatës Speciale familjarizim me situatën gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kjo qasje e Gjykatës Speciale është bërë me qëllim që aktakuzat të jenë sa më profesionale, derisa numri i të ftuarve në cilësi të dëshmitarëve nuk paragjykon numrin e aktakuzave që do të ngrihen”.

Ndërkaq sipas Shalës, Gjykata Speciale mund të ftojë edhe liderët shtetërorë të cilët kanë pasur pozita në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Varësisht nga rezultatet e hetimit dhe të vlerësimit që Gjykata Speciale ia bën një rasti, e njëjta ka autorizim ligjor që të ftojë secilin person në çfarëdo cilësie, duke mos përjashtuar në këtë rast as liderët shtetërorë, të cilët kanë pasur pozita kyçe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka shtuar ai.