Aktuale Lajme

Gjykata Speciale konfiskon pasaportat e të dyshuarëve, e konfirmon i ftuari nga Suhareka

Dhomat e Specializuara të Prokurorisë në Hagë kanë intensifikuar veprimet e tyre karshi të ftuarve në cilësinë e të dyshuarit. Një numri të konsiderueshëm, kryesisht atyre që janë ftuar më herët nga kjo gjykatë, u janë marrë edhe pasaportat, në atë formë që të njëjtit mos të kenë mundësi dalje jashtë Kosovës.

Ish-luftëtarë të UÇK-së, që tashmë janë bërë shënjestër nga Prokuroria e Specializuar e Hagës, e që më vonë ndaj tyre pritet edhe aktakuzë, s’do të kenë më mundësi të dalin jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Një numri të konsiderueshëm të personave që janë ftuar në cilësinë e të dyshuarve, u janë marrë dokumentet e udhëtimit në fund të tetorit dhe në fillim të nëntorit.

Këtë e ka konfirmuar për SuharekaOnline njëri prej të ftuarëve të Gjykatës Speciale nga Suhareka që për hirë të procesit është shprehur në kushte anonimiteti. Sipas tij pasaporta i është konfiskuar para tri jave dhe se po i njëjti pret aktakuzë për përgjegjësi komanduese sa ka shërbyer në UÇK.

Të njëjtat burime kanë treguar se hetuesit e Speciales, kanë udhëtuar vetë nëpër destinacione të ndryshme dhe në lokacionet e të intervistuarve më parë, nga ku edhe i kanë marrë pasaportat.

E gjithë ecuria e këtij veprimi të hetuesve të Hagës, rrjedh në atë formë, që aktakuzat e para që do të ngritën, do të bëhen të ditura për të pandehurit gjatë javës së parë të dhjetorit.

Në këtë formë, aktakuzat veç se janë përgatitur nga Prokurorët e Hagës, dhe ngritja e tyre, apo dhënia e kopjes për të pandehurit do të jetë veç procedurë formale e Institucionit të Prokurorisë së Specializuar.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.