Gjykata Speciale ka intensifikuar punën sa i përket ftesave për intervistim shumicën prej tyre për ish-ushtarët dhe ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Për këto ftesa ka folur edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, Hysni Gucati i cili tha se muaji tetor ka qenë shumë më i nxehtë se muajt e tjerë sa i përket dërgimit të ftesave për intervistim nga Gjykata Speciale.
Gucati tha se: “Nga 6 tetori deri më sot janë dërguar mbi 50 ftesa. Ftesa ka pasë që kanë ardhur edhe këtë të premte dhe të shtunë”.
Po ashtu ai në Sytë 7 tha se ftesa përveç ish-ushtarëve të UÇK-së, ftesa po i vijnë edhe qytetarëve të Kosovës.
“Ne i kemi rreth 110 ftesa të regjistruara, por numri i ftesave kalon mbi 150 vetëm për ish ushtarët e UCK-së, kurse edhe me ftesat ndaj civilëve numri kalon mbi 200”, ka thënë Gucati.
Po ashtu Gucati ka konfirmuar se deri më tani janë intervistuar të gjithë komandantët e të gjitha zonave dhe se ftesa kanë ardhur edhe për shtabin e përgjithshëm.