Gjykata Speciale ka intensifikuar punët e saj lidhur me ftesat për intervistim për ish-ushtarët dhe ish-komandatët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ndërsa së fundmi një ftesë të tillë e ka marrur edhe Brahim Mehmetaj, drejtor i Pronës në Komunën e Prishtinës.
Mehmetaj përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se ka marrë ftesë nga Dhoma e Prokurorit të Specializuar.
Po ashtu ai e ka bërë të ditur edhe cilësinë e ftesës, i cili tha se është ftuar në cilësinë e të dyshuarit.
Ky është njoftimi i tij i plotë në Facebook:
“Dje pasdite në përfundim të orarit të punës, një prej hetuesve të gjykatës speciale ma solli ftesën për në Hage. Punë e madhe…..
Jam i ftuar në cilësinë e të DYSHUARIT!!!!
Do t’i përgjigjem kësaj thirrje me krenari, edhe pse vazhdoj me mendu qe kjo gjykate është e padrejte dhe e njëanshme. Krimet ne Kosove i kanë kryer serbët dhe Serbia dhe ata janë kriminel e jo ne Çlirimtaret që ishim të detyruar të bënim luftë mbrojtëse dhe ÇLIRIMTARE. UÇK përjetë e mot!”
Kujtojmë se për intervistim janë ftuar dhjetëra persona, por Gjykata Speciale ende nuk ka ngritur ndonjë aktakuzë.
Gjykata Speciale e themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, do t’i hetojë krimet që pretendohet se janë kryer nga shqiptarët gjatë luftës së fundit në Kosovë.