Lajme

“Gjykata Speciale do të dënojë edhe me burgim të përjetshëm”

Foto: Ilustrim

Rreth treqind persona janë ftuar nga Gjykata Speciale për intervistim në Hagë, të cilët do t’iu përgjigjen prokurorisë rreth dyshimeve për krime në kohën e luftës dhe pas saj, në Kosovë.

Aktakuzat e para pritet të ndodhin në vitin e ardhshëm, kurse dënimi për gjithë të akuzuarit do të jetë edhe me burgim të përjetshëm. Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online drejtori Ekzekutiv i Fondit për të Drejtat Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj.

“Askush nuk mund të paragjykoj në këtë moment se kur do t’i shohim akatakuzat e para. Ka pasur spekulimi që ky fundvit do të jetë koha kur do t’i shohim aktakuzat e para. Askush nuk mund të paragjykoj duke marrë parasysh që një numër i madh i njerëzve janë ftuar për deklarata qoftë si të dyshuar qoft si dëshmitar. Vitin e ardhshëm mund të presim aktakuzat e para”.

“Lartësia e dënimeve do të shërbehen me politikat e dënimeve që janë sjell edhe në Kosove edhe Tribunali Ndërkombëtar për Ish Jugosllavi. Maksimumi do të jetë i përjetshëm, por në raste veç e veç mundemi me parë se cilat do të jenë”, tha ai.

Lidhur me mandatin e Gjykatës Speciale në Kosovë, Blakaj thotë se nuk është i përcaktuar, derisa tha se mandati 5 vjeçar mund të zgjatet për aq kohë sa prokuroria ka argumente në ngritjen e rasteve.

“Mandati kohor i dhomave të specializuar nuk është i përcaktuar në mënyrë të saktë dhe precize me ligj. Mandati do të jetë 5 vite me mundësi zgjatje mirëpo sipas gjitha gjasave dhomat e specializuara munden vetit me ja vazhdua mandatin për aq sa është e nevojshme, për aq sa prokuroria ka prova dhe mund të ngrit raste. Nuk presim që pas 5 viteve të përfundoj punë e dhomave të specializuara”.

Ndër të tjera Blakaj i tha Ekonomia Online se aneksi i veteranëve për ndjekjen penale të serbëve dhe të dyshuarve të tjerë për krime të luftës mund edhe të mos funksionojë.

Andaj kërkoj ai që autoritetet e Kosovës të insistojnë që krimet e luftës të diskutohen në dialogun Kosovë-Serbi.

“Nuk e di se a do të merren parasysh kërkesat e veteraneve që kjo gjatë t’i trajtojë gjitha lëndët që kanë ndodhur gjatë luftës. Por gjithmonë ekzistojnë gjykate e rregullta dhe nëse faktori politik gjatë procesit të dialogut me Serbinë do të insistojnë që të vendoset një bashkëpunim juridik mes Serbisë dhe Kosovës për krimet e luftës. Atëherë gjykatat e rregullta mund ti procedojnë të gjitha rastet edhe kur forcat serbe kanë kryer krime ndaj civilëve shqiptar. Në këtë pikë autoritetet e Kosovës do duhej të insistonin gjatë dialogut”, ka thënë ai.

Specialja ka mandat për krimet e pretenduara ndaj njerëzimit, për krimet e luftës dhe veprat tjera penale që ndërlidhen me pretendimet nga raporti i Dick Martyt, e të cilat pretendohet që janë kryer në periudhën prej janarit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.