Gjykata Kushtetuese ua njeh kontributin punëtorëve të larguar nga puna në vitet e 90-ta

  • 31.12.2022
Gjykata Kushtetuese ua njeh kontributin punëtorëve të larguar nga puna në vitet e 90-ta

Gjykata Kushtetuese pas shqyrtimit të kërkesës së Gjykatë Supreme, ka marrë vendim me të cilin ua njeh kontributin punëtorëve të larguar nga puna në vitet 1990.

Kështu kanë bërë të ditur përmes një njoftimi për media nga zyra për komunikim me publikun të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Sipas tyre, Kushtetuesja vendosi njëzëri që kërkesa është e pranueshme për skemat pensionale të financuara nga shteti.


“Gjykata, njëzëri, vendosi që (i) kërkesa është e pranueshme; dhe (ii) paragrafi 2 i nenit 8 të Ligjit nr.04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti në lidhje me nën-paragrafin 2.3 të paragrafit 2 të nenit 6 të Udhëzimit Administrativ nr.09/2015 për “Kategorizimin e Shfrytëzuesve të Pensionit Kontributpagues sipas Strukturës Kualifikuese dhe Kohëzgjatjes së Pagesës së Kontributeve-Stazhit Pensional”, nuk janë në përputhshmëri me nenin 24 [Barazia para Ligjit] në lidhje me nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) dhe nenin 1 (Ndalimi i Përgjithshëm i Diskriminimit) të Protokollit nr. 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut” thuhet në njoftim.

Lexoni më poshtë njoftimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesën KO 190/19, të parashtruar nga Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së nenit 8, paragrafit 2, të Ligjit nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti lidhur me nenin 5 dhe 6 të Udhëzimit Administrativ (MPMS) nr. 09/2015 për Kategorizimin e Shfrytëzuesve të Pensionit Kontribut pagues sipas Strukturës Kualifikuese dhe Kohëzgjatjes së Pagesës së Kontributeve.

Bazuar në kërkesën e parashtruar nga Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës sipas paragrafit 8 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Gjykata ka vlerësuar kushtetutshmërinë e paragrafit 2 të nenit 8 (Kushtet dhe kriteret për njohjen e të drejtës në pension kontributpagues të moshës) të Ligjit nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti lidhur me nenin 5 (Kualifikimi i shfrytëzuesve të pensionit kontributpagues) dhe nenin 6 (Dokumentet e nevojshme për njohjen e të drejtës në pension kontributpagues) të Udhëzimit Administrativ (MPMS) nr. 09/2015 për “Kategorizimin e Shfrytëzuesve të Pensionit Kontributpagues sipas Strukturës Kualifikuese dhe Kohëzgjatjes së Pagesës së Kontributeve-Stazhit Pensional” Gjykata, njëzëri, vendosi që (i) kërkesa është e pranueshme; dhe (ii) paragrafi 2 i nenit 8 të Ligjit nr.04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti në lidhje me nën-paragrafin 2.3 të paragrafit 2 të nenit 6 të Udhëzimit Administrativ nr.09/2015 për “Kategorizimin e Shfrytëzuesve të Pensionit Kontributpagues sipas Strukturës Kualifikuese dhe Kohëzgjatjes së Pagesës së Kontributeve-Stazhit Pensional”, nuk janë në përputhshmëri me nenin 24 [Barazia para Ligjit] në lidhje me nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) dhe nenin 1 (Ndalimi i Përgjithshëm i Diskriminimit) të Protokollit nr. 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata thekson që Gjykata referuese, bazuar në pesë (5) konteste në shqyrtim para saj dhe që ndërlidhen me të drejtën e palëve përkatëse për pension kontributpagues, ka kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit në lidhje me Udhëzimin Administrativ të aplikueshëm dhe të kontestuar në këtë rast, sa i përket kriterit të përvojës së punës në kohëzgjatje prej pesëmbëdhjetë (15) vitesh para 1 janarit 1999, në rrethanat historike dhe politike të viteve të ‘90-ta, përgjatë të cilave, pjesa dërrmuese e të punësuarve, ishin larguar nga vendet e tyre të punës bazuar në ligje diskriminuese. 

Në kontekst të pretendimeve të Gjykatës referuese, Gjykata fillimisht sqaron se objekt i vlerësimit kushtetues në këtë rast është vetëm dispozita përkatëse e Ligjit të kontestuar në lidhje me Udhëzimin përkatës Administrativ, e që ndërlidhet vetëm me kategorinë e pensionit kontributpagues dhe jo kategoritë e pensioneve tjera të përcaktuara me të njëjtin ligj dhe as ligjet tjera të veçanta dhe të cilat përbëjnë tërësinë e skemave pensionale aktualisht të aplikueshme në Republikën e Kosovës.

Ndërsa, përkitazi me kategorinë e pensionit kontributpagues, Gjykata sqaron se i njëjti buron nga Ligji për Sigurimin Pensional dhe Invalidor nr. 011-24/83, i publikuar në Gazetën Zyrtare të KSAK-së nr.26/83 dhe të cilin, Kuvendi i Republikës së Kosovës, e ka përvetësuar përmes Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti. Ky i fundit, përcakton vlefshmërinë e kësaj kategorie pensionesh vetëm për përvojën e punës deri më 1 janar 1999, duke saktësuar që për njohjen e të drejtës në këtë kategori pensionesh, qytetarët duhet të kenë stazh pensional të dëshmuar sipas ligjit të lartcekur të ish-KSAK-së. Megjithatë, Ligji për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, kategorizon përfituesit e mundshëm të pensionit kontributpagues në dy grupe. I pari, i përcaktuar përmes paragrafit 6 të nenit 8 të Ligjit të kontestuar dhe  i cili përbëhet nga “punëtorët e arsimit, shëndetësisë dhe të tjerëve që kanë punuar në sistemin e Republikës së Kosovës”, dhe të cilëve, përmes Ligjit të lartcekur, “ju njihet stazhi i punës për pension kontributdhënës për vitet 1989-1999”. Ndërsa, i dyti, i përcaktuar përmes paragrafit 2 të nenit 8 të Ligjit të kontestuar dhe i cili përbëhet nga të gjithë qytetarët tjerë që mund të kualifikohen për të drejtën në pension kontributpagues, kriteret për realizimin e të drejtës së të cilëve, delegohen në nivel të aktit nënligjor dhe i cili përcakton kategorizimin e qytetarëve/shfrytëzueseve të pensionit kontributpagues “sipas kohëzgjatjes së pagesës së kontributit sipas strukturës kualifikuese”. Kohëzgjatja dhe struktura kualifikuese është saktësuar përmes Udhëzimit të kontestuar Administrativ, dhe i cili, ndër tjerash, përcakton kriterin prej pesëmbëdhjetë (15) vitesh përvojë pune/pagesë kontributesh në ish-fondin përkatës të sigurimit pensional të përcaktuar përmes ligjit të lartcekur të ish-KSAK-së. Pa marrë parasysh dallimin në mes këtyre dy kategorive siç është përcaktuar në Ligjin e kontestuar dhe/ose kohëzgjatjen e pagesës së kontributeve deri më 1 janar 1999, mjetet financiare për këtë kategori pensionesh, përkatësisht për të dy grupet e lartcekura, sigurohen nga buxheti i Republikës së Kosovës.

Bazuar në kontekstin e lartcekur dhe pretendimet e Gjykatës referuese, Gjykata thekson se thelbi i kësaj kërkese kushtetuese është që të vlerësohet nëse, në kundërshtim me nenin 24 të Kushtetutës në lidhje me nenin 14 dhe nenin 1  të Protokollit nr. 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, (i) grupi i dytë i qytetarëve që mund të kualifikohen për të drejtën në pension kontributpagues, janë të diskriminuar në raport me ata të grupit të parë, përkatësisht “punëtorët e arsimit, shëndetësisë dhe të tjerëve që kanë punuar në sistemin e Republikës së Kosovës” dhe të cilëve u njihet “stazhi i punës për pension kontributdhënës” për vitet 1989-1999; dhe (ii) aplikimi i kriterit për përvojë pune/kontribut prej pesëmbëdhjetë (15) vitesh përgjatë viteve të ‘90-ta, përgjatë të cilave shumicës dërrmuese të të punësuarve i është ndërprerë marrëdhënia e punës, si rezultat i aplikimit të ligjeve diskriminuese, është kriter i arsyeshëm dhe proporcional.

Për këtë qëllim, Gjykata shtjelloi dhe aplikoi kriteret që burojnë nga praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe e Gjykatës përkitazi me testin e diskriminimit, bazuar në të cilin, fillimisht duhet të vlerësohet nëse ka “dallim në trajtim” në mes individëve/grupeve përkatëse dhe të cilat janë në situata të ngjashme dhe/ose analoge, dhe nëse ky është rasti, të vlerësojë nëse dallimi përkatës në trajtim (i) është “i përcaktuar me ligj”; (ii) ka ndjekur një “qëllim legjitim”; dhe (iii) është “proporcional”.

Në këtë kontekst, Gjykata, ndër të tjerash, theksoi se (i) nuk është kontestuese që ka “dallim në trajtim” në mes dy grupeve/kategorive të qytetarëve dhe të cilët janë në situata të ngjashme dhe/ose analoge përkitazi me fushëveprimin e kategorisë së pensioneve kontributpaguese dhe se ky “dallim në trajtim” është i “përcaktuar me ligj”, përkatësisht për grupin e parë përmes paragrafit 6 të nenit 8 të Ligjit të kontestuar, ndërsa për grupin e dytë përmes paragrafit 2 të nenit 8 të Ligjit të kontestuar në lidhje me nenin 6 të Udhëzimit të kontestuar Administrativ; (ii) ky “dallim në trajtim” ndjek një “qëllim legjitim”, përkatësisht dhe ndër tjerash, atë të stabilitetit financiar dhe ekonomik të shtetit; por që (iii) i njëjti nuk është i arsyeshëm dhe proporcional. Kjo e fundit sepse (i) Ligji i kontestuar bën dallimin në mes dy kategorive të qytetarëve, në kontekst të kategorisë së pensionit kontributpagues, duke përcaktuar, në njërën anë, se stazhi i punës për pension kontributpagues për vitet 1989-1999, njihet për “punëtorët e arsimit, shëndetësisë dhe të tjerëve që kanë punuar në sistemin e Republikës së Kosovës”, ndërsa në anën tjetër, duke përcaktuar se për kategoritë tjera të qytetarëve që mund të kualifikohen për të drejtën në pension kontributpagues, kriteret për njohjen e stazhit përkatës kontributpagues, duhet të përcaktohen me akt nënligjor; (ii) përkundër faktit që Ligji i kontestuar, në paragrafin 2 të nenit 8 të tij, saktëson që kriteret dhe kushtet për fitimin e të drejtës në pension kontributpagues, përcaktohen sipas “kohëzgjatjes së pagesës së kontributit”, përmes një akti nënligjor, ky i fundit, përkatësisht Udhëzimi i kontestuar Administrativ, në mënyrë krejtësisht formaliste aplikon kriterin prej pesëmbëdhjetë (15) vitesh dëshmi përvoje/kontributi, në rrethana historike dhe politike, në kontekst të të cilave, realizimi i këtij kriteri, ishte pamundësuar bazuar në ligje diskriminuese për shumicën dërrmuese të qytetarëve; (iii) e gjithë kategoria e qytetarëve që nuk e plotësojnë kriterin e të dëshmuarit së përvojës/kontributit për pesëmbëdhjetë (15) vite, trajtohen njëjtë me të gjithë tjerët që nuk kanë bërë asnjë pagesë të kontributeve për stazhin pensional para viti 1999; dhe (iv) pa marrë parasysh kontributet e qytetarëve përkatës, përfshirë kohëzgjatjen e tyre, në ish-fondin përkatës pensional bazuar në Ligjin e ish-KSAK-së, e tërë kategoria e qytetarëve që mund të jenë përfituese të kategorisë së pensionit kontributpagues, është e financuar nga buxheti i Republikës së Kosovës. Në mbështetje të konstatimit të mungesës së marrëdhënies së proporcionalitetit ndërmjet kufizimit dhe qëllimit që synohet të arrihet, Gjykata mori parasysh edhe Raportin me Rekomandime ex officio nr. 235/2018 të Avokatit të Popullit në lidhje me “kategorinë e qytetarëve që kanë punuar para vitit 1999 dhe nuk përfitojnë nga pensioni kontributpagues të moshës për shkak se nuk e plotësojnë kriterin e stazhit pensional prej 15 viteve si pasojë e largimit diskriminues nga puna”.

Përkitazi me efektet e këtij Aktgjykimi, Gjykata fillimisht thekson që bazuar në paragrafin 3 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shfuqizimi i ligjit ose dispozitës përkatëse, hyn në fuqi në ditën e publikimit të vendimit të Gjykatës, përpos nëse Gjykata vendosë ndryshe. Kjo e fundit, në përputhje edhe me parimet që burojnë nga Opinionet relevante të Komisionit të Venecias, i mundëson Gjykatës fleksibilitetin e nevojshëm për të përcaktuar efektet kohore të Aktgjykimeve të saj. Megjithatë, duke marrë parasysh rrethanat specifike të rastit konkret dhe pasojat potencialisht të paparashikueshme të shfuqizimit të menjëhershëm të dispozitave jokushtetuese dhe zbrazëtirës pasuese juridike dhe me qëllim të balancimit në mes të të drejtave dhe lirive themelore dhe parimit të sigurisë juridike, Gjykata iu referua Opinioneve relevante të Komisionit të Venecias dhe kërkoi edhe mendimin e Gjykatave Kushtetuese anëtare të Forumit të Komisionit të Venecias.

Emëruesi i përbashkët i përgjigjeve përkatëse të pranuara nga këto të fundit, në parim, reflekton që (i) Gjykatat Kushtetuese, kanë një fleksibilitet të caktuar përkitazi me përcaktimin e efekteve kohore të një Aktgjykimi; (ii) në parim, ligjet/dispozitat përkatëse të cilat janë vlerësuar në kundërshtim me Kushtetutën, duhet të shfuqizohen menjëherë dhe të eliminohen nga sistemi përkatës juridik; por që, (iii) në rrethana specifike, dhe për të shmangur pasojat potenciale si rezultat i shfuqizimit të menjëhershëm të ligjit/dispozitës së kontestuar, ndonjëherë është e nevojshme të shtyhet zbatimi/hyrja në fuqi e një Aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, duke i lënë mundësinë pushteteve tjera, përkatësisht atij ekzekutiv dhe legjislativ, që të ndërmarrin masat e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e dispozitës së shpallur si kundërkushtetuese në përputhje me Kushtetutën edhe Aktgjykimin përkatës të Gjykatës Kushtetuese; dhe në fund, (iv) në parim, duhet të evitohen efektet prapavepruese të Aktgjykimeve përkatëse, me theks në vendimet gjyqësore të formës së prerë, në favor të parimit të sigurisë juridike.

Bazuar në këto parime dhe sqarimet e shtjelluara në Aktgjykimin që do të publikohet, Gjykata vlerësoi se në rrethanat e rastit konkret, siguria juridike mbrohet në mënyrë më efektive duke përcaktuar shfuqizimin e dispozitave të vlerësuara si në kundërshtim me Kushtetutën pas një periudhe gjashtë (6) mujore, përkatësisht më 15 korrik 2023, në mënyrë që (i) të evitohet zbrazëtia juridike e cila, ndër tjerash, mund të afektojë negativisht edhe qytetarë të cilët mund të përfitojnë nga dispozitat përkatëse të Ligjit të kontestuar në lidhje me Udhëzimin  Administrativ të kontestuar; dhe (ii) t’i akordohet një periudhë kohore e arsyeshme Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, respektivisht, që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e nenit 8 të Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, në pajtim me Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim.

N'minuta
Suharekë, rruga e lagjes “Fan Noli” vërshohet nga mbeturinat, ankohen qytetarët
Suharekë, rruga e lagjes “Fan Noli” vërshohet nga mbeturinat, ankohen qytetarët
[FOTO] Vetura përplaset me ujkun në autostradën Prizren-Suharekë
[FOTO] Vetura përplaset me ujkun në autostradën Prizren-Suharekë
Disa të rinj kapen në video duke dëmtuar ulëset në “Shtigjet e Ecjes”, Muharremaj kërkon intervenimin e policisë
Disa të rinj kapen në video duke dëmtuar ulëset në “Shtigjet e Ecjes”, Muharremaj kërkon intervenimin e policisë
Ganimete Hoxha nga fshati Budakovë ka nevojë për ndihmën tuaj
Ganimete Hoxha nga fshati Budakovë ka nevojë për ndihmën tuaj
Suharekë, zjarrfikësit vazhdojnë të përballen me zjarre malore
Suharekë, zjarrfikësit vazhdojnë të përballen me zjarre malore
Ambient i pastër, “betonizohet” rruga në Zonën Industriale
Ambient i pastër, “betonizohet” rruga në Zonën Industriale
Zjarr mbi fshatin Sallagrazhdë
Zjarr mbi fshatin Sallagrazhdë
Kapen me marihuanë, arrestohen 4 të rinj në Suharekë
Kapen me marihuanë, arrestohen 4 të rinj në Suharekë
Aksident në autostradë në drejtimin Suharekë-Prizren, raportohet për të lënduar
Aksident në autostradë në drejtimin Suharekë-Prizren, raportohet për të lënduar
Aksident në autostradë në drejtimin Suharekë-Prizren, një person i lënduar rëndë
Aksident në autostradë në drejtimin Suharekë-Prizren, një person i lënduar rëndë