Gjykata i vazhdon paraburgimin edhe për dy muaj Shehollit, i dyshuar për spiunazh
Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur të i vazhdojë paraburgimin për dy muaj Fatmir Shehollit, i arrestuar si i dyshuar për spiunazh në favor të BIA-s serbe. Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi.
“Pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit F.SH., gjyqtari i procedurës paraprake, pas shqyrtimit të kërkesës më 07 nëntor 2025, përmes aktvendimit ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, duke i vazhduar masën e paraburgimit edhe për 2 muaj”, tha Gashi.
Fatmir Sheholli u arrestua më 9 tetor 2025, ndërsa një ditë më pas gjykata i kishte caktuar një muaj paraburgim.
Sipas Prokurorisë Speciale, Sheholli dyshohet se ka vepruar nën udhëzimet e zyrtarit të lartë të BIA-s serbe, Bojan Dimiç, duke mbledhur dhe shpërndarë informacion rreth pronave, aktiviteteve biznesore dhe funksionimit të institucioneve në Kosovë.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se Sheholli ishte i rekrutuar nga BIA dhe kishte ofruar ndihmë të vazhdueshme për këtë shërbim të huaj, duke marrë informacione që më pas i shpërndante edhe në media online në Kosovë. Ai ishte nën hetime nga gushti i vitit 2024 dhe ishte edhe në përdorim të përgjimit fizik.
Gjatë bastisjeve të Policisë së Kosovës më 9 tetor 2025 në banesën e Shehollit, janë sekuestruar pajisje elektronike, dokumentacion dhe sende të tjera, të cilat do të dërgohen për ekzaminim.
Sipas dosjes së Prokurorisë, Sheholli kishte marrë paratë nga Fondi Special Operativ i AKI-së, në disa raste deri në mbi 500 mijë euro, të cilat ishin dorëzuar nga ish-drejtorët e këtij institucioni: Driton Gashi, Shpend Maxhuni dhe Kreshnik Gashi gjatë periudhës 2017–2020.
Ky rast është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ndërsa masat e paraburgimit pritet të vazhdojnë derisa të përfundojnë hetimet dhe procedurat e mëtejshme.