Gjuha ofenduese, praktikë e disa politikanëve

Gjuha ofenduese, praktikë e disa politikanëve

Dorëheqja e kryeministrit ka aktivizuar partitë politike në mobilizimin për zgjedhjet e reja, por përfaqësuesit e tyre nuk po bëjnë garë konkurruese për programe dhe ide, përkundrazi po merren me individë të caktuar të partive kundërshtare. Në këtë drejtim ata nuk po e kursejnë veten nga përdorimi i gjuhës urrejtëse dhe denigruese, duke e rrezikuar kështu integritetin e procesit zgjedhor.

Gjuha denigruese e përdorur nga ana e deputetëve dhe e zyrtarëve të tjerë të partive politike sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile ka të bëjë me kalkulimin e subjekteve për ta mobilizuar elektoratin e tyre dhe për t’i shmangur debatet substanciale rreth ofertave, duke u bazuar në ide dhe në programe.

Liria e grumbullimit dhe e veprimit politik është e garantuar dhe në emër të kësaj sipas Ismet Kryeziut, i cili është drejtor ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), subjektet politike janë duke zhvilluar aktivitete partiake me karakter elektoral. Por shpërfaqja e gjuhës denigruese sipas tij mund të sjellë pasoja në drejtim të procesit të ri zgjedhor.

“Gjuha denigruese dhe me nuanca të urrejtjes, e cila shkel moralin, etikën dhe ligjet kundër diskriminimit, rrezikon integritetin e procesit zgjedhor, minon sigurinë dhe potencialisht mund të nxisë përplasje në elektorat”, ka deklaruar për gazetën ‘Zëri” Kryeziu.

Ndërkohë Shpend Emini, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Demokraci për Zhvillim” (D4D), ka konsideruar se përdorimi i gjuhës denigruese tanimë është bërë praktikë mes partive politike. Një gjë e tillë sipas tij nuk po ndodh vetëm pse vendi duket të jetë afër një procesi të mundshëm zgjedhor, por raste të tilla ka pasur në vazhdimësi edhe gjatë seancave të Kuvendit. Megjithëkëtë fushata e nisur para kohe sipas Eminit e ka intensifikuar edhe më tej fjalorin denigrues.

“Përpos gjuhës ofenduese, disa individë të partive politike kanë filluar edhe sulme verbale që shpesh janë të natyrës personale. Pas dorëheqjes së kryeministrit partitë politike tashmë kanë filluar fushatën jozyrtare duke u takuar me struktura të partisë dhe me këtë edhe është shpeshtuar gjuha denigruese”, ka potencuar ai për “Zërin”.

Kur partitë politike nuk kanë se çka të ofrojnë te votuesit, sipas Eminit fillojnë ta ashpërsojnë gjuhën ofenduese ndaj kundërshtarëve të tyre.

RAPORTO