07.09.2019, 15:55

Gjuha denigruese e politikanëve në vend të ofertave me përmbajtje

Ndonëse fushata zgjedhore akoma nuk ka filluar liderët politikë janë lëshuar në deklarata fyese, në thumbime e në akuza kundrejt njëri-tjetrit. Sipas shoqërisë civile, një fjalor i tillë mund të nxisë përplasje në elektorat.

Ende pa nisur fushata zgjedhore liderët politikë janë lëshuar në deklarata që përmbajnë gjuhë denigruese. Ata po godasin njëri-tjetrin me sulme verbale, hulumtime biografike, thumbime e akuza të shpifura në vend se të shpalosin programet e partive për zgjedhjet e 6 tetorit. Përfaqësues të shoqërisë civile thonë se një fjalor i tillë mund të nxisë përplasje në elektorat. Sipas tyre, duhet të ndërmerren masa për gjuhë të përmbajtur gjatë fushatës zgjedhore. E Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ua ka tërhequr vërejtjen liderëve politikë që të distancohen nga ky fjalor. Ata kanë ftuar liderët që të bëjnë një fushatë që ofron perspektivë dhe mundësi të reja për qytetarët e Kosovës.

KMDLNJ: Mos u lëshoni në gjuhë denigruese, shpalosni programet

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se liderët politikë në vend se të shpalosin programet e tyre po hulumtojnë biografinë e njëri-tjetrit. “Ne i kemi ftuar partitë politike që të përmbahen nga gjuha denigruese dhe në vend të kësaj gjuhe të ofrojnë programe zhvillimore. Ajo që po bëjnë është denigruese, përpjekje për të hetuar biografinë e të tjerëve dhe familjarët e tyre, që nuk është e rëndësishme, pasi gjatë fushatës duhet të fokusohen në programet e tyre”, ka thënë ai.

Ai përmes gazetës i ka ftuar edhe një herë partitë politike që të distancohen nga gjuha denigruese. “Çdo parti politike duhet t’i mbledhë anëtarët e vet, t’ua tërheqë vërejtjen dhe të marrin përgjegjësinë për mbarëvajtjen e fushatës. Të mos lëshohen në lojëra të nivelit më të ulët. I ftoj liderët të bëjnë një fushatë që ofron perspektivë dhe mundësi të reja për qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai.

LEXO EDHE:  KQZ tregon sa vendvotime janë rinumëruar deri më tani në QNR

ABGJ-ja partive politike: Evitoni gjuhën e dhunshme dhe seksiste

Edhe Agjencia për Barazi Gjinore në Kosovë u ka bërë thirrje partive politike që gjatë takimeve elektorale të evitojnë gjuhën denigruese. “Agjencia për Barazi Gjinore ua përkujton subjekteve politike që gjatë fushatës elektorale, në takime me elektoratin, në programet dhe në premtimet elektorale, në materialet promovuese të subjekteve politike të evitojnë gjuhën seksiste, të dhunshme dhe stereotipat gjinorë”, thuhet në reagimin e Agjencisë për Barazi Gjinore në Kosovë.

Paçarizi: Gjuha denigruese mund të nxisë përplasje në elektorat

Ndërkaq profesori universitar Rrahman Paçarizi konsideron se gjuha e garuesve politikë akoma është brenda kufijve. Ndonëse, siç thotë ai, akoma është herët dhe gjuha e tyre mund të eskalojë. “Deri më tash gjuha e përdorur nga garuesit politikë ka qenë në kufijtë e normales, me ndonjë shkarje që tejkalon kufijtë e korrektësisë. Megjithatë, ende është herët dhe mund të ndodhë të eskalojë gjuha e debateve dhe e përplasjeve”, ka deklaruar ai për gazetën “Zëri”.

Sipas tij, një fjalor i tillë mund të ndikojë te përkrahësit e partive. Më tutje Paçarizi ka thënë se organizatat joqeveritare duhet të ndërmarrin nisma për gjuhë të përmbajtur. “E keqja e këtyre përplasjeve është bartja e frymës së acarimeve dhe konfliktit te militantët ose edhe te mbështetësit e tyre. Unë mendoj se OJQ-të duhet të ndërmarrin nisma, përmes të cilave do t’i nxitnin partitë politike për gjuhë të përmbajtur”, ka përfunduar Paçarizi.

Ndërkohë Shpend Emini, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Demokraci për Zhvillim” (D4D), teksa ka folur për gazetën “Zëri” ka thënë se përdorimi i gjuhës denigruese tanimë është bërë praktikë mes partive politike. “Përpos gjuhës ofenduese, disa individë të partive politike kanë filluar edhe sulme verbale, që shpesh janë të natyrës personale”, ka potencuar ai për “Zërin”.

Kur partitë politike nuk kanë se çka të ofrojnë te votuesit, sipas Eminit, fillojnë ta ashpërsojnë gjuhën ofenduese ndaj kundërshtarëve të tyre./Zeri/

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.