🇩🇪🇽🇰 Gjermania ndihmon Kosovën, nga janari fillojnë punët në sigurimet shëndetësore

Sot në një konferencë për media ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i shoqëruar nga Ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Christian Heldt, kanë folur rreth zhvillimeve të fundit në procesin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë në fuqizimin e Fondit të Sigurimit Shëndetësor, e që nga janari pritet të fillojnë punët për sigurimet shëndetësore në vendin tonë.

Ismaili ka thënë se Gjermania do të ndihmojë Republikën e Kosovës për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, pasi që gjendja në shëndetësi për një kohë goxha të gjatë ka qenë një barrë e rëndë për kosovarët, po ashtu edhe shpenzimet e mungesa e shëbimeve kanë bërë që t’iu shtohet edhe më shumë barra.

Po ashtu ai potencoi se gjatë vitit të ardhshëm mund të fillohen sigurimet shëndetësore nëse do të punohet shumë. “Një përpjekje e imja ka qenë që të sigurojmë një mbështetje te ekspertizës gjermane që të kemi profesionalizëm më të madh kur të fillojnë. Ajo përpjekje ka rezultuar me sukses.

“Kam pranuar një letër nga ministri Gjerman që ka konfirmuar se fondi i sigurimeve shëndetësorë AOKA do të jetë në mbështetje të fondit të sigurimeve. Do të sjellë ekspertizë që do ndihmojë në fillimin e Sigurimeve Shëndetësorë.Është shumë e rëndësishme që ne të sigurohemi që Fondi i sigurimeve të mos krijojë borgje por të jetë mburojë për qytetarët”, tha ai tutje.

Ndërsa ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt është shprehur i kënaqur për bashkëpunimin që kanë me Ministrinë e Shëndetësisë. Po ashtu ai tha se nga janari pritet të fillojë procesi i Fondit të Sigurimeve, por që do të kërkojë shumë punë.

Ndërsa, ambasadori gjerman Heldt u shpreh i kënaqur për bashkëpunimin “Është një ditë e mirë rreth funksionalizimit të fondit të sigurimeve shëndetësore. Ky bashkëpunim është hap konkret që doli nga nënshkrimi i deklaratës së përbashkët. E kujtoj momentin e këtij takimi i cili është për të ndërtuar kapacitetet brenda fondit të sigurimeve shëndetësore. Në këto trajnime do të ketë mbështetje brenda vendit të punës e do jepen këshilla për politikbërja ndaj ministrisë”, tha ai.

“Binjakëzimi i Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Kosovës me AOK, një ndër fondet më të mëdha publike në Gjermani, do të fillojë në janar të vitit 2020. Kjo është një ndihmë praktike që hapë rrugë dhe siguron që qytetari i Kosovës të ketë sigurim shëndetësor”, ka shkruar Ismaili në Facebook.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.