Gjenerali amerikan Cavoli: SHBA në proces të zgjerimit të pranisë ushtarake në Kosovë

04.04.2025

Gjenerali amerikan Christopher Cavoli, një nga figurat më të larta ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Komandant Suprem i Forcave Aleate në Evropë (SACEUR), ka raportuar para Senatit amerikan mbi gjendjen e sigurisë në rajonet ku janë të dislokuara forcat amerikane, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor.

Në fjalimin e tij, Cavoli ka theksuar se Kosova dhe Bosnje e Hercegovina vazhdojnë të përballen me sfida të vazhdueshme në aspektin e sigurisë dhe stabilitetit.

Ai ka nënvizuar rolin e KFOR-it në Kosovë, duke sqaruar se aktualisht rreth 4,300 trupa janë të dislokuara në vend, ku rreth 600 prej tyre janë nga SHBA.

“KFOR-i mbetet në terren dhe situata në Kosovë mbikëqyret nga afër. SHBA kontribuon me më pak se 600 ushtarë, ndërsa një pjesë e madhe e barrës mbahet nga aleatët tanë, si Italia, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe Hungaria”, theksoi Cavoli.

Ai po ashtu vlerësoi reagimin e shpejtë të Francës ndaj tensioneve në Bosnje e Hercegovinë, duke përmendur vendosjen e aeroplanmbajtëses “Charles de Gaulle” dhe dy batalioneve parashutistë në verën e kaluar si pjesë e një demonstrimi force.

Në lidhje me Kosovën, Cavoli konfirmoi se Shtetet e Bashkuara kanë vendosur forca rezervë për të përballuar tensionet e ngritura gjatë vitit të fundit dhe se tashmë është në proces zgjerimi i pranisë së përhershme ushtarake në vend.

“Ne po zgjerojmë numrin e forcave të përhershme në Kosovë për të lehtësuar barrën që e mbajnë aleatët me forca rezervë. Dhe besoj se do të arrijmë marrëveshje për këtë shumë shpejt dhe do t’i kemi ato resurse”, u shpreh ai.

Gjenerali Cavoli gjithashtu theksoi bashkëpunimin e ngushtë me Bashkimin Evropian, veçanërisht për misionin “Operation Althea” në Bosnje e Hercegovinë, duke theksuar rëndësinë e **bashkëpunimit ndërkombëtar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.