Deri tani në Kosovë pesë raste janë konfirmuar me koronavirus. Më 13 mars komuna e Vitisë dhe Klinës janë vendosur në karantinë, ndërsa mbrëmë edhe komuna e Malishevës.
Infektologu në Klinikën Infektive, Valbon Krasniqi ka treguar se gjendja shëndetësore e 5 pacientëve të infektuar me koronavirus që po trajtohen në Klinikën Infektive në QKUK, është stabile.
“Nuk kanë nevojë për terapi shtesë, përveç atyre që merren, ky i moshuari 77 vjeçar herë pas here ka nevojë për oksigjen. Ndërkaq, 4 personat tjerë nuk kanë nevojë në këto momente për terapi shtesë dhe oksigjen”, tha Krasniqi për RTV21.
Ndryshe deri më tani në Komunën e Suharekës nuk ka asnjë të dyshuar dhe asnjë të infektuar me koronavirusin covid-19.
Këtë e ka konfirmuar përmes telefonit për SuharekaOnline drejtori i QKMF-së në Suharekë, Dr.Salih Bytyçi i cili ka thënë se deri më tani nuk ka të infektuar me koronavirusin covid-19.