Gjendja me zjarret në Kosovë sa shkon e bëhet më e rrezikshme, kështu u deklarua njohësi i çështjeve të emergjencave, Tahir Ahmeti.
Tahir Ahmeti, bashkëthemeluesi i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë, gjatë një postimi në llogarin e tij në Facebook, theksoi se gjendja me zjarret në Kosovë, po del jashtë kontrollit.
Sipas Ahmetit, kjo situatë aktuale me zjarret që po ndodhin në vendin tonë, po rrezikohet jeta e qytetarëve po ashtu po shkatërrohen edhe plantacionet në shumë Komuna sidomos në Komunën e Suharekës.
“Zjarre të shumta kanë kapluar mbarë Kosovën, po digjen fusha e male, thuajse nuk ka rajon që nuk është përfshirë nga këto zjarre, të shumtat të shkaktuara qëllimisht apo nga pakujdesia”, shkroi në Facebook, Tahir Ahmeti.
Më tutje ai shkroi se: “Po shkatërrohen hektarë të tërë të sipërfaqeve malore dhe fushave, po rrezikohen pronat private e publike, po rrezikohet jeta e zjarrfikësve të cilët me javë dhe muaj po luftojnë me këto zjarre, po rrezikohet edhe jeta e qytetarëve të vendit”.
“Ka disa javë që kemi paralajmëruar që gjendja me zjarret në Kosovë po del jashtë kontrollit. A duhet të presim që të ndizet e tërë Kosova, apo ndoshta edhe të kemi ndonjë viktimë nga këto zjarre, dhe tek atëherë organet kompetente shtetërore të marrin masa për shpalljen e gjendjes emergjente?
Apo ndoshta duhet të shpresojmë dhe të lutemi që sa më shpejtë të kemi të reshura të shiut, në mënyrë që të zbutet situata me këto zjarre”.