Qeveria e Kosovës ka vendosur të shpallë gjendjen e emergjencës së shëndetit publik pas rekomandimit të Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Qeveria është mbështetur në Ligjin nr. 02/L-109 – PЁR PARANDALIMIN DHE LUFTIMIN E SËMUNDJEVE NGJITËSE.

Neni 41 i këtij ligji thotë:

41.1 Për ta mbrojtur vendin nga kolera, murtaja, variola vera, ethet hemorragjike virale, ethet e verdha, SARS-i, gripi i shpendëve dhe sëmundjet tjera ngjitëse, merren masat e parashikuara me këtë ligj dhe me konventa ndërkombëtare sanitare dhe me akte tjera ndërkombëtare.

41.2 Për ta parandaluar futjen dhe përhapjen e kolerës, murtajës, variola vera, etheve hemorragjike virale, etheve të verdha, SARS-it, gripit të shpendëve dhe sëmundjeve të tjera ngjitëse në tërë vendin, Ministria e Shëndetësisë, me akte nënligjore përcakton masat e posaçme të jashtëzakonshme për mbrojtje nga këto sëmundje, si vijon:
a) Ndalimi i udhëtimit në vendin ku është përhapur epidemia e ndonjërës nga këto sëmundje;
b) Ndalimi i qarkullimit në rajonet e infektuara ose drejtpërsëdrejti të rrezikuara;
c) Kufizimi ose ndalimi i qarkullimit të llojeve të veçanta të mallrave dhe të produkteve;
d) Pjesëmarrja e detyrueshme e institucioneve shëndetësore, institucioneve të tjera dhe e qytetarëve në luftimin e sëmundjes dhe në shfrytëzimin e objekteve, të pajisjes dhe të mjeteve të transportit me qëllim të luftimit të sëmundjeve ngjitëse;

41.3 Për pjesëmarrjen në zbatimin e masave nga pikat a) deri d) të këtij neni, institucioneve shëndetësore, organizatave të tjera dhe qytetarëve u takon kompensimi adekuat nga organi kompetent.