Gërvalla: Pesë vendet mosnjohëse nuk do ta pengojnë anëtarësimin e Kosovës në KiE

21.03.2024

Zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla ka thënë se nuk mendon që pesë vendet anëtarë të Bashkimit Evropian, të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, do ta pengojnë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Gërvalla: Pesë vendet mosnjohëse nuk do ta pengojnë anëtarësimin e Kosovës në KiE Foto: Ilustrim

Ajo është optimiste që Kosova do të arrijë t’i marrë 2/3 e votave në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare në mes të prillit.

Derisa ka folur në KTV për dialogun Kosovë-Serbi, Gërvalla ka thënë se nuk i beson ndërmjetësuesit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe paanshmërisë së tij.

Ndërsa, ka folur për vendimin për pronat e Manastirit të Deçanit, Gërvalla ka theksuar se Qeverisë nuk i takon të refuzojë zbatimin e vendimeve të Kushtetueses.

Gërvalla ka shtuar se si për Manastirin e Deçanit, ashtu edhe për çështje të tjera, institucionet është dashur të ngrehin shqetësimet para se Kushtetuesja të merrte vendimin.

Ajo ka deklaruar se masat e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës janë të padrejta dhe të pakuptimta, duke shtuar se BE-ja “s’e di pse i ka vendosur ato”.

Tha se këto masa iu vendosën Kosovës duke u përpjekur t’i dilte zot situatës në veri.

Sipas zëvendëskryeministres, Brukseli s’e ka njoftuar Kosovën se çka duhet të veprojë për t’u hequr masat sanksionuese, derisa ka deklaruar se institucionet e Kosovës s’e meritojnë këtë ndëshkim.