Gastronomët të shqetësuar me kufizimet, ankohen se nuk kanë marrë mbështetje nga shteti

20.08.2021

Në vendin tonë ditëve të fundit ka shënuar rritje drastike numri i të infektuarve me COVID-19, ku vetëm dje janë konfirmuar 2,236 raste pozitive si dhe janë regjistruar 8 viktima. Si shkak i rritjes së rasteve, autoritetet shëndetësore u detyruan të ndërmarrin disa masa kundër përhapjes së COVID-19, ku të mërkurën këto masa u miratuan […]

Gastronomët të shqetësuar me kufizimet, ankohen se nuk kanë marrë mbështetje nga shteti Foto: Ilustrim

Në vendin tonë ditëve të fundit ka shënuar rritje drastike numri i të infektuarve me COVID-19, ku vetëm dje janë konfirmuar 2,236 raste pozitive si dhe janë regjistruar 8 viktima.

Si shkak i rritjes së rasteve, autoritetet shëndetësore u detyruan të ndërmarrin disa masa kundër përhapjes së COVID-19, ku të mërkurën këto masa u miratuan nga Qeveria e Kosovës.

Ndërsa masat e miratuara nga Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Kurti, kanë hyrë në fuqi sot.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në mbledhjen ku edhe u miratuan këto masa, ka theksuar se masat e përcaktuara nuk përcaktojnë në asnjë rast obligimin e vaksinimit të detyrueshëm.

Siç janë bërë të ditura edhe ditëve të kaluara, masat e reja që kanë hyrë në fuqi nga dita e sotme (20 gusht) e që janë të vlefshme deri më 1 shtator, parashohin ndalimin e veprimtarisë së klubeve të natës, mbajtjen e dasmave dhe ahengjeve tjera familjare.

Shërbimet e gastronomisë përfshirë restoranet dhe hapësirat e ngjashme në hoteleri lejohen të punojnë deri në orën 22:30 dhe të zhvillojnë aktivitetin e tyre në përputhje me udhëzuesin përkatës. Në hapësirat e mbyllura lejohet veprimtar deri në 50% e kapaciteti.

E për këto kufizime kanë reaguar gastronomët, duke theksuar se nuk kanë marrur mbështetje nga Qeveria e Kosovës.

Sipas nënkryetarit të Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Shpat Hashani, masat e marra nga Qeveria janë ndryshe nga ato që kanë diskutuar me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

Po ashtu Hashani ka thënë se si shoqatë e gastronomisë i kanë pritur këto masa, pasi që ka rritje enorme të rasteve të infektimeve me COVID-19.

Gjithashtu, ai ka shtuar se masat e marra nga Qeveria kundër COVID-19 do ta dëmtojnë sektorin e gastronomisë si ekonomikisht ashtu edhe psiqikisht.

Sipas nënkryetarit të Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, përkundër se që nga fillimi i pandemisë COVID-19 ka pasur sanksione për këtë sektor, por asnjë ndihmesë apo lehtësirë nga ana e Qeverisë.

“Humbjet gjithmonë kur ka kufizime të tilla shfrytëzimi i hapësirave të brendshme me 50 për qind të kapacitetit dhe 70 për qind të kapacitetit në terrasa dhe kufizimi i orarit luajnë rol në humbje të bizneseve të Gastronomisë”, ka thënë ai për EO.