Gastronomët të bindur që s’ishin vatër e shpërndarjes së virusit, kërkojnë lirim të tërësishëm të masave

04.05.2021

Është bërë kohë e gjatë që kur qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për mbylljen e diskotekave por edhe të sallave të dasmave në mënyrë që të parandalohet përhapja e COVID-19. Por duke qenë se jemi në prag të verës dhe numri i të infektuarve po bie gastronomët kërkojnë më shumë lehtësira në këtë sektor. […]

Gastronomët të bindur që s’ishin vatër e shpërndarjes së virusit, kërkojnë lirim të tërësishëm të masave Foto: SuharekaOnline

Është bërë kohë e gjatë që kur qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për mbylljen e diskotekave por edhe të sallave të dasmave në mënyrë që të parandalohet përhapja e COVID-19.

Por duke qenë se jemi në prag të verës dhe numri i të infektuarve po bie gastronomët kërkojnë më shumë lehtësira në këtë sektor.

Derisa vera po afrohet janë shtuar kërkesat e gastronomëve për më shumë lehtësira në biznesin e tyre.

Lirim të tërësishëm të masave, respektivisht fillimin e punës së sallave të dasmave dhe diskotekave, gjatë sezonit të verës po kërkon Shoqata e Gastronomëve nga Qeveria.

Veton Zuka, anëtar i Bordit të Shoqatës së Gastronomëve tha se ekzekutivi duhet të reflektojë në këtë aspekt, duke theksuar se edhe njëherë u dëshmua që nuk ishin vatër e shpërndarjes së virusit.

“Po shpresojmë tash me u hap, numrat veç po shihen që kanë rënë, edhe njëherë po vërtetohet që nuk është vatër e shpërndarjes gastronomia, sepse tash na jemi duke punuar deri në ora 10:00, dhe numri është shumë i vogël e që është një lajm shumë i mirë, mirëpo duhet potencuar që nuk është vatër e shpërndarjes, dhe realisht tash presim prej Qeverisë me reflektuar në këtë drejtim dhe me bë hapje totale, me respektim të masave”, tha Zuka.

“Po na jemi duke hyrë në sezone të verës, dhe ajo vjen edhe me ardhjen e mërgatës dhe dihet ndihma  dhe ndikimi i tyre për Kosovën. Kështu që na presim një reflektim prej Qeverisë dhe me pa realitetin, dhe kërkesën tonë që duhet me shfrytëzuar mërgatën tonë për të mirë në aspektin ekonomik, dhe nuk ka logjikë me u mbyll ma”.