Gastronomët sërish të pakënaqur: Pritem zgjatje të orarit
Në këtë diskutim është folur edhe për sektorin e gastronomisë, për të cilët masat do të mbesin të njëjta, pra do të funksionojnë deri në orën 21:30 dhe brenda lokaleve do të lejohen të hyjnë vetëm qytetarët e vaksinuar kundër virusit dhe ata që kanë testet përkatëse. Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi, në […]
Në këtë diskutim është folur edhe për sektorin e gastronomisë, për të cilët masat do të mbesin të njëjta, pra do të funksionojnë deri në orën 21:30 dhe brenda lokaleve do të lejohen të hyjnë vetëm qytetarët e vaksinuar kundër virusit dhe ata që kanë testet përkatëse.
Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi, në një prononcim për lajmi.net ka thënë se po presin një takim me ministrin Arben Vitia, Xhelal Sveçla dhe Hekuran Murati, për të diskutuar më hollësisht rreth detajeve se si do të funksionojë gastronomia.
Ai ka thënë se presin edhe përkrahje nga organet e rendit dhe mbështetje ekonomike nga institucionet.
“Ne po presim një takim me z.Vitia dhe z.Murati për përkrahje ekonomike ashtu siç kemi diskutuar dhe na është premtuar. Po ashtue dhe me organet e rendit për me diskutu se si kemi me funksionu, pra po presim një takim ku do të jetë prezent z.Vitia, z.Sveçla dhe z.Murati”, ka thënë Kllokoqi.
Tutje ai ka thënë se kanë pritur nga Qeveria që do të ketë zgjatje të orarit të punës për sektorin e gastronomisë.
“Sa i përket masave kemi pritur që do të ketë zgjatje të orarit dhe nëse të gjithë brenda lokaleve janë të vaksinuar atëherë pse duhet të ketë kufizim”, ka thënë ai për lajmi.net.
Kllokoqi ka deklaruar se është e vështirë që të kërkohet nga gastronomët të kontrollojnë klientët nëse janë të vaksinuar dhe nëse kanë teste, andaj presin ndihmën e organeve të rendit.
“Po shpresojmë me na dal në krah organet e rendit, se na atë rend është vështirë me e mbajt. Ose mund të ndjekim shembullin e Maqedonisë, ku policia dhe inspektorët kontrollojnë klientat”, ka përfunduar Kllokoqi.
Kujtojmë se edhe orari i lëvizjes është planifikuar të mbetet i njëjti, ku qytetarët mund të lëvizin lirshëm deri në ora 22:00, ndërsa nga ora 22:00 – 05:00 është planifikuar të mbetet në fuqi ora policore.