Ka përfunduar procesi i numërimit të votave nga KQZ-ja pas zgjedhjeve parlamentare të cilat u mbajtën më 6 tetor, por ditëve të fundit tri subjekte politike raportuan për parregullsi të shumta lidhur me bartjen e të dhënave nëpër formularët me gabime dhe jashtë standardit.
Për këto parregullsi subjektet politike si: LDK, Nisma dhe PDK kanë bërë kërkesë në PZAP që të bëhet rinumërimi i votave në shkallë vendi ndërsa KQZ pas kësaj kërkese mori vendim që të bëhet rinumërimi i 313 vendvotimeve.
Këto parregullsi po dëshmohen edhe me fotografi të cilat po qarkullojnë nëpër rrjete sociale, të cilat kanë shfaqur një rast konkret ku në një vendvotim në Komunën e Vushtrrisë të gjitha votat e qytetarëve që kanë votuar i janë dhënë Listës Serbe (Srpska Lista).
Totali i votave të cilat u janë dhënë Listës Serbe nuk është bërë me qëllim, por këto parregullsi u bënë për shkak se në formularë kishte gabime teknike.
KQZ-ja ka marrë dje vendim që 313 vendvotime të shkojnë në rinumërim, mirëpo disa nga subjektet politike janë duke kërkuar që në rinumërim të shkohet në nivel vendi për arsye se kudo në Kosovë janë përdorur formularë të tillë.


