Furnizimi jostabil me energji elektrike po dekurajon investimet e huaja në Kosovë

03.01.2022

Një investitor gjerman, që merret me prodhimin e produkteve të plastikës dhe e cila ka të punësuar 20 punëtorë. Nga Kosova, kompania eksporton produktet e saj në vende të ndryshme të botës, deri në Amerikë. Menaxheri i kompanisë, F.H thotë se si pasojë e problemeve me energji elektrike, me shumë vështirësi janë i duke furnizuar […]

Furnizimi jostabil me energji elektrike po dekurajon investimet e huaja në Kosovë Foto: Ilustrim

Një investitor gjerman, që merret me prodhimin e produkteve të plastikës dhe e cila ka të punësuar 20 punëtorë. Nga Kosova, kompania eksporton produktet e saj në vende të ndryshme të botës, deri në Amerikë.

Menaxheri i kompanisë, F.H thotë se si pasojë e problemeve me energji elektrike, me shumë vështirësi janë i duke furnizuar me produkte kompanitë me të cilat kanë kontrata.

“Po bëhen 20 vjet dhe i njëjti problem me rrymë. Nëse ndalet 2 orë jemi në rregull, por kur të vijë rryma, të jetë stabile. Me tensionin e ulët, siç po vjen, nuk mund të ndizet asnjë makinë”, thotë Hoti.

Ai shton se kanë kërkuar ndihmë nga Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), por nuk u është bërë zgjidhje. Kjo situatë me energjinë elektrike në Kosovë, duket të mos jetë fare e mirë për një investitor gjerman, i cili, siç thotë Hoti, edhe mund të largohet.

“Është rrezik që mund të ikin dhe të shkojnë në Maqedoni të Veriut, atje është stabiliteti më i madh”, thotë Hoti, për Radio Evropa e Lirë.

Frutex në përgatitje të padisë për KEDS-in

Problemet me energji elektrike kanë goditur edhe kompaninë Frutex në Suharekë.

Pronari i Frutex-it, Shaqir Palushi thekson se i janë shkaktuar mijëra euro dëme në makineri për shkak të rrymës.

“Ne për katër ditë pothuajse për asnjë moment nuk kemi pasur energji elektrike. Edhe kur ka pasur energji elektrike, ka qenë e tensionit të ulët dhe ne është dashur të vazhdojmë punën me gjeneratorë. Kjo shkakton probleme në linjat e prodhimit”, thotë Palushi.

Për dëmet që i janë krijuar kompanisë, ai është në përgatitje e sipër të një padie për KEDS-in.

“Ne jemi parapagues të rregullt të rrymës dhe një furnitor kur nuk e përmbush kontratën, duhet të përballet edhe me padi, pasi që edhe ne kemi obligime ndaj blerësve tanë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

KEDS/KESCO në bazë të licencës dhe kontratave me konsumatorët, ka për obligim furnizimin e pandërprerë me energji elektrike, pavarësisht sa janë kapacitetet prodhuese të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Pak investime ndërkombëtare

Sipas të dhënave të Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), përgjatë periudhës janar – shtator 2021, shuma zyrtare e investimeve të huaja është 321.8 milionë euro.