Ka reaguar edhe kryekuvendari Kadri Veseli, pas ftesës që i bëri Gjykata Speciale ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Jakup Krasniqi.

Ai tha se ftesat për liderët e UÇK-së nga Gjykatës Speciale janë një goditje për bashkëluftëtarët e tij, për UÇK-në dhe luftën tonë, por u shpreh i sigurtë që do e kapërcejnë me kurajo dhe nder.

Veseli shkruan se lufta e popullit shqiptar për të jetuar i lirë dhe i pavarur me dinjitet e krenari kombëtare në trojet e veta shekullore të Kosovës, është një ndër kapitujt më të ndritur të historisë sonë bashkëkohore dhe “askush nuk do mund ta njollosi dot”.

Veseli tha se të gjithë këta që janë ftuar nga Gjykata Speciale do të kthehen përsëri të pafajshëm e kryelartë sepse kanë qenë në anën e duhur të historisë.

“Me keqardhje pranova sot lajmin e thirrjes nga gjykata speciale të ish-Zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z. Jakup Krasniqi menjëherë pasi janë thirrur tashmë ish- shefi i Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, ish- komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj dhe ish- anëtari i Shtabit të UÇK-së, Sokol Bashota. Kjo është një goditje për bashkëluftëtarët e mi, për UÇK-në dhe luftën tonë, por unë jam i sigurt që do e kapërcejmë me kurajo dhe nder këtë sfidë së bashku dhe do dalim prej saj më të fortë se më parë. Unë jam i bindur se ata do të kthehen përsëri të pafajshëm e kryelartë sepse e drejta ka qenë dhe mbetet në anën tonë dhe ne kemi qenë në anën e duhur të historisë”, ka shkruar Veseli.