FSSHK apelon kryetarët e komunave: Sa i dekoroni qytetet për festat e fundvitit, investoni në shëndetësi

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka bërë apel tek të gjithë Kryetarët e Komunave dhe tek Asambletë Komunale  të tyre që të kenë parasysh situatën e rënduar me pandeminë COVID-19 kur bëjnë plane për shpenzime për të dekoruar qytetet për festat e fundvitit.

“FSSHK është njoftuar me shumat e projektuara për një aktivitet të tillë, andaj kërkon që këto mjete të investohen në sektorin e shëndetësisë me qëllim të ofrimit të shërbimeve më cilësore gjatë Pandemisë COVID-19  dhe në mbrojtje të popullatës në nivel të Komunave.

Është i patoleruar dekorimi i qyteteve për festa të fundvitit kur qytetarët tanë po ballafaqohen me kushte të rënda mbijetese me Pandeminë dhe gjendjen socio ekonomike të familjeve të tyre”, thuhet në komunikatë.

FSSHK bën apel tek Kryetarët e Komunave dhe Asambleve Komunale që të jenë më të arsyeshëm sa i përket shpenzimeve të parasë publike.

“Tek e fundit Kosova që nga nesër futet pothuajse në karantinë e që nënkupton edhe kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, andaj pyetja është kjo?. Kush do ti vizitojë këto qendra të dekoruara të qyteteve kur kemi masa kufizuese dhe të paktën a kemi ndjeshmëri dhe solidaritet këtë vit me familjet të cilët kanë humbur më të dashurit e tyre nga COVID-19”, thekson komunikata.

Kujtojmë se Komuna e Suharekës tashmë ka i ka hapur procedurat tenderuese për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit.

SuharekaOnline ka mësuar se në bazë të buxhetit për vitin 2020 Komuna e Suharekës ka parashikuar që vlera investive për dekorimin e qytetit për këtë fundvit të jetë 5000 €.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.