FSK pranon poligonin modern të qitjes, një donacion strategjik nga SHBA
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka bërë sot pranimin zyrtar të Poligonit të Qitjes në Babaj të Bokës, Komuna e Gjakovës, një donacion i rëndësishëm nga Komanda e Forcave Amerikane për Evropë (EUCOM).
Ky projekt dëshmon bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fuqizimin e kapaciteteve të sigurisë dhe mbrojtjes.
Poligoni është i pajisur me teknologji moderne dhe i licencuar për përdorim, duke kaluar me sukses të gjitha inspektimet dhe testimet e nevojshme. Ai ofron kushte të sigurta dhe profesionale për zhvillimin e aktiviteteve të qitjes me armë, duke garantuar përgatitjen dhe trajnimet e nivelit më të lartë për personelin e FSK-së dhe partnerët strategjikë.
Bazuar në objektivat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe udhëzimet e Komandantit të FSK-së, Rexhimenti i Xhenios Ushtarake ka zhvilluar punime infrastrukturore të rëndësishme në këtë lokacion, përfshirë hapjen e rrugëve dhe ndërtimin e urave, të cilat janë pjesë e investimeve për poligonet e planifikuara për ndërtim gjatë këtij viti dhe në të ardhmen. Këto investime, të realizuara edhe me mbështetje nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, janë rezultat i koordinimit të ngushtë me partnerët strategjikë amerikanë.
Mbështetja nga SHBA-të, përmes EUCOM-it dhe Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë, e koordinuar nga Zyra e Bashkëpunimit të Mbrojtjes (ODC) e Ambasadës Amerikane në Kosovë, ka qenë thelbësore për realizimin e këtij projekti.
Poligoni i Qitjes do të shërbejë si një qendër trajnimi për FSK-në dhe forcat amerikane, duke rritur nivelin e përgatitjes dhe aftësive operacionale për përballimin e sfidave të sigurisë dhe mbrojtjes. Ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve të FSK-së dhe thellimit të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.